Transmetuar më 26-06-2026, 16:58

Gjatë një konference për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, prezantoi një sërë vendimesh të qeverisë që lidhen me tregjet e kapitalit, pagesat tregtare, ndërmarrjet shtetërore dhe arsimin profesional.

Ajo theksoi se projektligjet e miratuara synojnë rritjen e transparencës, përmirësimin e klimës së biznesit dhe përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian. Ndër vendimet kryesore, Ibrahimaj përmendi rregullimet për emetimin e titujve financiarë, pagesat e vonuara mes tregtarëve, si dhe ndryshime në mënyrën e administrimit të ndërmarrjeve shtetërore, ku bordet do të përfshijnë anëtarë të pavarur.

Në fokus ishte edhe arsimi profesional, ku u vendos rritja e bursave për nxënësit dhe hapja e programit për ushqimin në shkolla.

Megjithatë, vëmendja u zhvendos te protestat që po zhvillohen prej 26 ditësh jashtë Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë. E pyetur për këtë, Ibrahimaj tha se përgjigjja e qeverisë është puna dhe aktet e miratuara në funksion të procesit të integrimit europian.

Ajo deklaroi se qeveria është “në garë me veten” për të përmbushur detyrimet deri në vitin 2027 dhe shtoi se mazhoranca mbështetet nga mbi 800 mijë qytetarë që kanë votuar Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se kjo përbën detyrim për vijimin e reformave drejt Bashkimit Europian.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit