

Mykonos, Greqi – Policia greke ka goditur një organizatë kriminale të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike në ishullin e Mykonos, duke arrestuar pesë persona, mes tyre edhe një 37-vjeçar shqiptar, i dyshuar si drejtuesi i grupit.
Sipas mediave greke, shqiptari kishte kamufluar aktivitetin kriminal përmes një kompanie transporti turistik me furgonë. Automjetet e saj përdoreshin jo vetëm për transportin e turistëve, por edhe për lëvizjen e anëtarëve të organizatës dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht në Mykonos dhe zonat me fluks të lartë vizitorësh.
Nga hetimet rezulton se aktiviteti i grupit kishte nisur në mesin e muajit prill, ndërsa fitimet e përfituara nga trafiku i drogës vlerësohen në rreth 700 mijë euro.
Gjatë operacionit, autoritetet ushtruan kontrolle në banesa dhe ambiente të përdorura nga grupi në Mykonos, Pire dhe Perama.
Si rezultat, u sekuestruan rreth 4.5 kilogramë kokainë, sasi kokaine rozë, kanabis, tableta me substanca farmaceutike, ketaminë dhe kërpudha halucinogjene.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të aktivitetit të organizatës kriminale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






