

Angli – Një çift shqiptar është dënuar në Britaninë e Madhe pasi gjatë një operacioni të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në banesën e tyre u sekuestruan sasi të konsiderueshme kanabisi, para të gatshme dhe sende me vlerë.
Bëhet fjalë për Kristian Lleshin, 35 vjeç, dhe Xhulijana Trimin, 29 vjeç, të cilët u arrestuan në shtator të vitit të kaluar në banesën e tyre në Cornbrook Road, Shenley Green, në Birmingham.
Gjatë kontrollit, hetuesit zbuluan në papafingo dy qese të mëdha me rreth 7 kilogramë kanabis të paketuar në vakum, ndërsa 2 kilogramë të tjerë u gjetën në një qese pranë shkallëve të banesës.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu 51,450 paund në para të gatshme, të fshehura në vende të ndryshme të shtëpisë, përfshirë portofola, dollapë, komodina, një enë me suplemente proteinike dhe poshtë një shtrati. Po ashtu u konfiskuan bizhuteri ari, çanta dhe këpucë luksoze.
Të dy u arrestuan nën dyshimin për posedim të kanabisit me qëllim furnizimin e tregut dhe për pastrim parash.
Gjatë hetimeve, Lleshi zgjodhi të mos japë deklarime, ndërsa Trimi pretendoi se nuk kishte dijeni për drogën apo paratë dhe se e njihte Lleshin prej vetëm tre muajsh, duke mohuar se ishin në një lidhje.
Megjithatë, hetuesit siguruan prova që kundërshtonin këto pretendime. Postime në rrjetet sociale tregonin se çifti ishte në një lidhje që prej të paktën vitit 2023, ndërsa faturat e sekuestruara provonin se sendet luksoze ishin blerë me para në dorë nga dyqane të njohura dhe jo në platforma të shitjes së produkteve të përdorura, siç deklaronte Trimi.
Gjatë operacionit u identifikua edhe një shtetas tjetër në banesë, i cili rezultoi në shkelje të ligjeve të emigracionit dhe iu dorëzua autoriteteve përgjegjëse.
Hetimet çuan gjithashtu në zbulimin e një ferme kanabisi në Dudley, ku u sekuestruan dhe u shkatërruan bimë me një vlerë të përllogaritur prej rreth 78 mijë paundësh.
Të dy të pandehurit pranuan fajësinë në Gjykatën e Kurorës në Birmingham. Më 24 qershor, gjykata dënoi Kristian Lleshin me 2 vjet e 2 muaj burg, ndërsa Xhulijana Trimin me 18 muaj burgim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






