

Tiranë – Ka shkuar në 64 numri i studentëve të Akademisë së Sigurisë që kanë përfunduar në spital me simptoma të dyshuara të helmimit ushqimor, pas konsumimit të vakteve të ofruara nga kompania e kateringut SORI-AL.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se, përveç 60 kursantëve të raportuar fillimisht, edhe katër studentë të tjerë janë paraqitur në urgjencë me të njëjtat simptoma.
Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet, të cilat tashmë përfshijnë jo vetëm kompaninë që furnizon ushqimin, por edhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), për të verifikuar procedurat e kontrollit dhe mbikëqyrjes.
Gjatë ditës pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë SORI-AL, Alma Tafani, e cila po hetohet në gjendje të lirë. Ndërkohë, grupi hetimor është në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të mostrave të ushqimit, të cilat pritet të përcaktojnë shkakun e helmimit.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa dosja e rastit të fundit pritet të bashkohet me hetimin për incidentin e ngjashëm të ndodhur në fillim të muajit maj.
Në rastin e parë, rreth 52 studentë u helmuan pasi konsumuan ushqimin e ofruar nga e njëjta kompani. Analizat laboratorike konstatuan se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe Staphylococcus, çka çoi në bllokimin e aktivitetit të kompanisë dhe vendosjen e një gjobe prej 1.5 milionë lekësh për shkelje të standardeve higjieno-sanitare.
Megjithatë, disa ditë më vonë, AKU vendosi të zhbllokojë aktivitetin e kompanisë, pasi analizat e mëvonshme të higjienës së ambienteve dhe pajisjeve të punës rezultuan brenda parametrave të lejuar.
Hetimet pritet të sqarojnë nëse helmimi i fundit lidhet me të njëjtat shkaqe dhe nëse janë respektuar standardet e sigurisë ushqimore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






