

Tiranë – Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar dy marrëveshje të reja bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, me qëllim forcimin e zhvillimit të produkteve agro-ushqimore dhe rritjen e promovimit të tyre në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Marrëveshjet u firmosën gjatë një konference të përbashkët në Tiranë nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Salla, dhe Ministri i Bujqësisë i Kosovës, Armend Muja.
Gjatë fjalës së tij, Salla theksoi se marrëveshjet përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe në kthimin e angazhimeve politike në rezultate konkrete për qytetarët.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi do të fokusohet në dy drejtime kryesore: zhvillimin e shërbimeve këshillimore bujqësore dhe transferimin e teknologjive inovative, si dhe krijimin e një qasjeje të përbashkët për marketingun dhe promovimin e produkteve agro-ushqimore.
Sipas tij, bujqësia mbetet një sektor strategjik për të dy vendet, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, punësimin, mirëqenien e zonave rurale dhe sigurinë ushqimore.
Marrëveshjet parashikojnë gjithashtu rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve, pjesëmarrjen e përbashkët në panaire ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit mes operatorëve ekonomikë të të dy vendeve.
Po ashtu, dokumentet synojnë modernizimin e sektorit përmes digjitalizimit, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe mbështetjes së fermerëve me teknologji dhe inovacion.
Autoritetet theksuan se kjo nismë krijon një bazë të re bashkëpunimi institucional dhe hap mundësi për përfshirje në projekte dhe fonde të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në përfundim, të dy ministrat vlerësuan marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë dhe u shprehën të angazhuar për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sektorin agro-ushqimor.
Pjesë nga fjala e Sallës:
Të nderuar anëtarë të delegacionit të Republikës së Kosovës, Kam kënaqësinë t’ju mirëpres sot në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në një moment të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Vizita juaj dhe nënshkrimi i dy Marrëveshjeve të Bashkëpunimit ndërmjet ministrive tona përfaqësojnë një tjetër dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, si dhe të vullnetit të përbashkët për ta kthyer këtë bashkëpunim në iniciativa konkrete dhe rezultate të prekshme për qytetarët tanë. Këto marrëveshje vijnë në vijim të takimit të zhvilluar në muajin prill në Prishtinë dhe përbëjnë një hap të rëndësishëm në konkretizimin e angazhimeve të marra nga të dyja palët.
Marrëveshjet materializojnë bashkëpunimin tonë në dy drejtime strategjike:
Së pari, në zhvillimin e shërbimeve këshillimore bujqësore, transferimin e teknologjive dhe nxitjen e inovacionit në bujqësi; Së dyti, në hartimin e një qasjeje të përbashkët për marketingun, promovimin dhe lehtësimin e tregtimit të produkteve agro-ushqimore.
Bujqësia mbetet një sektor me rëndësi strategjike për të dy vendet tona, me ndikim të drejtpërdrejtë në:
zhvillimin ekonomik; rritjen e mirëqenies së komuniteteve rurale; krijimin e vendeve të punës; garantimin e sigurisë ushqimore.
Për këtë arsye, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona merr një rëndësi të veçantë, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e përvojave midis dy vendeve, forcimin e kapaciteteve dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në interes të fermerëve dhe sipërmarrjeve agro-ushqimore.
Marrëveshja për marketingun dhe promovimin e produkteve agro-ushqimore synon:
rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve tona; forcimin e pranisë së tyre në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare; koordinimin e aktiviteteve promovuese dhe pjesëmarrjes në panaire; si dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet operatorëve ekonomikë të të dy vendeve. Ndërkohë, marrëveshja për shërbimet këshillimore, transferimin e teknologjive dhe inovacionin synon:
modernizimin e sektorit bujqësor përmes forcimit të kapaciteteve profesionale; shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira; përmirësimin dhe digjitalizimin e shërbimeve për fermerët; si dhe mbështetjen e tyre me teknologji dhe zgjidhje inovative që rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë. Këto instrumente bashkëpunimi krijojnë një bazë të qëndrueshme për koordinim institucional dhe zhvillim të përbashkët, duke hapur njëkohësisht mundësi të reja për pjesëmarrje në programe, projekte dhe fonde të Bashkimit Evropian, si dhe të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të zhvillimit.
Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës kanë treguar vazhdimisht se kur veprojmë së bashku, krijojmë më shumë mundësi zhvillimi për sektorët tanë ekonomikë dhe për qytetarët tanë. Në këtë frymë, jam i bindur se edhe këto marrëveshje do të sjellin rezultate konkrete dhe afatgjata për sektorin agro-ushqimor në Shqipëri dhe Kosovë.
Në përmbyllje, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të veçantë për Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, Z. Muja, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe angazhimin e përbashkët në finalizimin e këtyre marrëveshjeve, si dhe për gatishmërinë e vazhdueshme për të forcuar më tej partneritetin ndërmjet institucioneve tona.
Një falënderim i veçantë shkon dhe për ekipet teknike dhe institucionet e të dy vendeve, të cilat janë duke u përkushtuar për të kontribuar në hartimin dhe finalizimin e gjithë këtyre dokumenteve që ne jemi duke nënshkruar. Jam i bindur se marrëveshjet që nënshkruajmë sot do të shërbejnë si një bazë e fortë për bashkëpunim edhe më të ngushtë në të ardhmen dhe do të kontribuojnë së bashku midis dy vendeve tona./
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






