

Kansas City – Përfaqësuesja e Anglisë në Botëror po ndjek një qasje krejt ndryshe nga turnetë e mëparshëm, me trajnerin Thomas Tuchel që ka vendosur rregulla strikte brenda kampit, duke kufizuar maksimalisht shpërqendrimet jashtë fushës.
Sipas raportimeve, në grumbullimin e “Tre Luanëve” nuk janë të pranishme bashkëshortet dhe të fejuarat e futbollistëve, të njohura si WAGs, ndërsa skuadra po qëndron e izoluar në bazën e saj në Kansas City.
Tuchel ka lejuar vetëm një ditë takimi me familjarët pas ndeshjeve, ndërsa pjesa tjetër e kohës është e dedikuar vetëm për stërvitje dhe rikuperim. Kjo qasje synon të ruajë fokusin maksimal të ekipit në objektivin sportiv.
Lojtarë si Harry Kane, Declan Rice dhe Jude Bellingham po përjetojnë një ambient të kontrolluar, larg jetës së luksit dhe ekspozimit mediatik. Sipas deklarimeve të brendshme, izolimi dhe qetësia janë parë si faktorë që ndihmojnë përqendrimin dhe performancën.
“Jemi larg qyteteve të mëdha dhe nuk ka shumë shpërqendrime. Kjo na ndihmon të jemi të fokusuar,” është shprehur Declan Rice.
Ndryshe nga turnetë e mëparshëm ku prania e WAGs shpesh shoqërohej me vëmendje mediatike dhe histori tabloidesh, këtë herë stafi teknik ka vendosur të shmangë çdo element që mund të ndikojë në përgatitjen e skuadrës.
Anglia ka zhvilluar disa aktivitete të kufizuara jashtë fushës, si pjesëmarrje në evente sportive lokale apo koncerte, por gjithmonë me rikthim të rreptë në kamp.
Ky model disipline rikthen kujtimet e turneve të viteve të kaluara, ku jeta jashtë fushe e lojtarëve anglezë shpesh ishte në qendër të vëmendjes, por që tani duket se është zëvendësuar nga një qasje më e kontrolluar dhe profesionale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






