

Tiranë – Besimtarët bektashinj kanë kremtuar sot Festën e Ashures, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit shpirtëror të këtij komuniteti, që simbolizon sakrificën, reflektimin dhe vlerat e besimit.
Në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nderim të 72 dëshmorëve të Qerbelasë, ku morën pjesë besimtarë dhe përfaqësues të komunitetit.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj (Baba Mondi), përcolli një mesazh urimi dhe reflektimi, duke theksuar nevojën për paqe dhe solidaritet në botë.
“Le të mbështesim njëri-tjetrin dhe të ruajmë vlerat e familjes dhe besimit. Lutjet tona shkojnë për ata që vuajnë nga luftërat. Sot njerëzimi ka nevojë për më shumë paqe dhe dhembshuri. Zoti i ndriçoftë zemrat me urtësi dhe të forcojë frymën e vëllazërisë mes kombeve. Zoti na bekoftë të gjithëve,” u shpreh ai.
Festa e Ashures lidhet me ngjarjen historike të betejës së Qerbelasë, ku u martirizua Imam Husejni së bashku me ndjekësit e tij, rreth 1400 vite më parë. Ngjarja konsiderohet simbol i sakrificës për drejtësi dhe të vërtetën.
Ceremonia në Kryegjyshatë u zhvillua në një atmosferë përkujtimore dhe shpirtërore, duke theksuar mesazhet e paqes, besimit dhe bashkimit mes njerëzve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






