

Himarë – Prej të paktën katër ditësh, ujërat në zonën bregdetare të Potamit në Himarë janë raportuar si të ndotura, duke ngritur shqetësim tek pushuesit dhe banorët e zonës.
Bashkia e Himarës ka reaguar zyrtarisht, duke bërë të ditur se situata po monitorohet nga institucionet përgjegjëse dhe se janë marrë mostra për analizë laboratorike, me qëllim përcaktimin e shkakut të ndotjes.
Në reagim theksohet se në terren ndodhen struktura të ndryshme shtetërore, përfshirë Ministrinë e Turizmit, Ministrinë e Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM) dhe task-forcat për menaxhimin e sezonit turistik.
Sipas Bashkisë, deri në përfundimin e analizave nuk mund të konkludohet zyrtarisht mbi shkaqet e fenomenit, ndërsa çdo informacion i deritanishëm konsiderohet në nivel pretendimi.
Autoritetet shtojnë se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura që shërben për zonën e Himarës është plotësisht funksional dhe nuk janë konstatuar probleme teknike që mund të lidhen me situatën.
Bashkia e Himarës ka theksuar se do të vijojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe informimin e publikut me transparencë, ndërsa ruajtja e cilësisë së ujërave dhe siguria e pushuesve mbeten prioritet gjatë sezonit turistik.
Si është zakonisht

Si është katandisur

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






