Transmetuar më 26-06-2026, 10:24

Atentati ndaj Arjan Ndojës/ GJKKO dënon me burg përjetë Plaurent Dervishajn, 35 vite burg për Julian Meçajn

Tiranë – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn, si dhe me 35 vite burg Julian Meçajn, për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Sipas vendimit, Prokuroria e Posaçme ka provuar përfshirjen e të pandehurve në ngjarjen e ndodhur më 1 nëntor 2019, ku u qëllua me armë zjarri ndaj automjetit me të cilin udhëtonte Ndoja, së bashku me shoferin e tij dhe Aleksandër Lahon, i njohur me nofkën “Rrumi”.

Hetimet e SPAK, të paraqitura në gjykatë nga prokurori Adnand Xholi, e konsiderojnë Plaurent Dervishajn si organizator të atentatit, ndërsa Julian Meçajn si një nga ekzekutorët që ka qëlluar në drejtim të automjetit.

Sipas dosjes hetimore, në ngjarje dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë, përfshirë Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja, Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, të cilët po gjykohen në procese të veçanta.

Të dënuarit janë arrestuar më herët në Dubai dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë në gusht të vitit 2024 për t’u përballur me drejtësinë.

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit në vend, për shkak të profilit të lartë të objektivit dhe lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit