Transmetuar më 26-06-2026, 09:14

Metsovo, Greqi – Janë publikuar pamje të reja nga aksidenti i një helikopteri zjarrfikës, i cili u rrëzua në liqenin artificial të Aoos, në zonën e Metsovos, gjatë një operacioni për shuarjen e një zjarri në rajonin e Grevenës.

Në videon e publikuar shihet një nga pilotët në ujë, pranë helikopterit të tipit Bell, i cili ndodhet i zhytur nën sipërfaqen e liqenit. Piloti del në sipërfaqe dhe qëndron pranë mjetit ajror deri në mbërritjen e ndihmës.

Pamjet pasojnë një video të mëhershme që tregon momentin e aksidentit. Sipas tyre, helikopteri humbi kontrollin gjatë manovrës së marrjes së ujit nga liqeni. Në përpjekje për t’u ngritur, pjesa e pasme e mjetit preku sipërfaqen e ujit, duke shkaktuar humbjen e stabilitetit dhe rrëzimin. Pas përplasjes, helikopteri u përfshi nga flakët dhe më pas u fundos.

Të dy pilotët arritën të dalin në kohë nga helikopteri dhe notuan drejt bregut, ku u ndihmuan nga një varkë. Më pas ata u transportuan me ambulancë në spitalin e Janinës për kontrolle mjekësore. Sipas autoriteteve, gjendja e tyre nuk paraqitet shqetësuese.

Një dëshmitar okular, i cili filmoi ngjarjen, deklaroi se helikopteri dukej se kishte vështirësi gjatë ngritjes.

"Diçka nuk shkonte. Nuk po arrinte të fitonte lartësi," u shpreh ai, duke shtuar se pak çaste më vonë mjeti humbi kontrollin dhe u përmbys në ujë.

Menjëherë pas aksidentit, banorët e zonës njoftuan shërbimet e emergjencës. Forcat zjarrfikëse, policia dhe ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje brenda pak minutash dhe koordinuan operacionin e evakuimit.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rreziqet me të cilat përballen ekuipazhet ajrore gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve, veçanërisht në terrene të vështira dhe gjatë manovrave të furnizimit me ujë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit