Transmetuar më 26-06-2026, 08:41

Rama publikon mesazhin e një qytetari: "Dorëhiqu për turizmin, pagat dhe negociatat… në 2030"

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale mesazhin e një qytetari, i cili i drejtohet me një kërkesë ironike për dorëheqje, duke renditur si arsye një sërë zhvillimesh që kreu i qeverisë i ka cilësuar vazhdimisht si arritje të mandatit të tij.

Në postimin e publikuar, qytetari shprehet se qeverisja "vuan nga fodullëku dhe shkenca e gjithologjisë", por më pas vijon me një listë të gjatë të asaj që ai i konsideron suksese të qeverisë. Mes tyre përmenden transformimi i zonave urbane dhe rurale, ndërtimi i aeroporteve, rritja rekord e turizmit, hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, zhvillimi ekonomik, rritja e pagave në sektorë të ndryshëm, investimet në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, si edhe forcimi i imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Në fund të mesazhit, qytetari i drejtohet kryeministrit me një përfundim simbolik: "Dorëhiqu… në vitin 2030", duke lënë të kuptohet se, sipas tij, Rama duhet ta përfundojë mandatin deri në atë periudhë.

Duke e shoqëruar postimin me një koment, Rama shkroi:

"Mirëmëngjes dhe me kërkesën e mëposhtme për dorëheqje nga një numër i panjohur, të cilën e mirëkuptoj plotësisht duke e pranuar përulësisht, ju uroj një ditë të qetë."

Postimi i kryeministrit vjen në një kohë kur protestat e opozitës vijojnë prej disa javësh përpara godinës së Kryeministrisë, me kërkesa për dorëheqjen e tij dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Postimi i plotë i Ramës

MIRËMËNGJES dhe me kërkesën e mëposhtme për dorëheqje nga një numër i panjohur, të cilën e mirëkuptoj plotësisht duke e pranuar përulësisht, ju uroj një ditë të qetë.

𝗠𝗮𝗻𝗶𝗳𝗲𝘀𝘁𝗶 𝗶 (𝘀)𝗱𝗼𝗿ë𝗵𝗲𝗾𝗷𝗲𝘀!

Është ndoshta fjala më e konsumuar në lëmin virtual, ndaj po ta risjell edhe unë si ‘Millennials’ me shpresën që “Gen Z” nuk do më denigrojë me komente.

Para se të vijoj po ju them, (me lehtësinë e një barre që nuk e kam mbi supe, bashkë me +800K vota) se qeverisjen e mundon më së shumti fodullëku dhe shkenca e gjithologjisë, por kjo meriton një hapësirë më të zgjeruar filozofike për diskutim.

Tani lexomë (nëse mundeni dhe natyrisht nëse doni).

Dorëhiqu për transformimet e zonave urbane dhe rurale.

Dorëhiqu për aeroportet!

Dorëhiqu për turizmin që shënon shifra rekord!

Dorëhiqu për negociatat që u hapën!

Dorëhiqu për konferencën e tetë ndërqeveritare.

Dorëhiqu për kthimin në shina të ekonomisë!

Dorëhiqu që sot keni rritur pagat në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë.

Dorëhiqu sepse sot protestohet paqësisht dhe në dritaren tënde nuk ka snajper!

Dorëhiqu për transformimet në arsimin, shëndetësi, infrastrukturë dhe jo vetëm.

Realiteti është bezdisës për ata që jetojnë me nostalgjinë e krizës së përhershme.

Dorëhiqu, sepse e ktheve Shqipërinë në një vend që sot respektohet ndërkombëtarisht.

Ose mendoje kështu: Dorëhiqu…në 2030!

Nuk do të na duhesh atëherë, por do të kujtojmë me siguri.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit