Transmetuar më 26-06-2026, 07:52

Protestat nuk po perceptohen më vetëm si faktor që ndikon negativisht në turizëm. Në epokën e rrjeteve sociale dhe platformave si TikTok e Instagram, ato po shndërrohen gjithnjë e më shumë në pjesë të përvojës së udhëtimit, duke nxitur atë që studiuesit e quajnë "turizmi i protestës".

Një shembull vjen nga turistja indiane Namrata Samra, e cila kishte zgjedhur Shqipërinë për të vizituar Alpet Shqiptare. Megjithatë, qëndrimi i saj në Tiranë përkoi me protestat qytetare, të cilat u bënë pjesë e eksperiencës së saj dhe e përmbajtjes që ndau me ndjekësit në rrjetet sociale.

Sipas artikullit të publikuar nga Monitor, videot e protestave në Tiranë kanë tërhequr miliona shikime në platformat sociale, ndërsa turistë nga vende të ndryshme kanë publikuar pamje nga marshimet, pankartat dhe atmosfera qytetare. Disa prej tyre janë gjendur rastësisht në protesta, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur t’i ndjekin nga afër, duke i konsideruar pjesë të përvojës së tyre gjatë vizitës në Shqipëri.

Fenomeni nuk është i panjohur në botë. Qytete si Hong Kongu, Parisi, Barcelona dhe Beogradi janë përmendur më herët si shembuj të "protest tourism", ku ngjarjet publike zgjojnë interesin e vizitorëve dhe gjenerojnë përmbajtje me ndikim në rrjetet sociale.

Ndryshe nga perceptimi tradicional për protestat si ngjarje që largojnë turistët, protestat në Tiranë janë paraqitur nga shumë vizitorë si tubime paqësore, me pjesëmarrjen e familjeve, të rinjve dhe të moshuarve. Në disa raste, organizatorët u janë drejtuar edhe turistëve me mesazhin se protestat janë paqësore dhe nuk paraqesin rrezik për vizitorët.

Megjithëse nuk ka ende të dhëna zyrtare që të tregojnë ndikimin e këtij fenomeni në fluksin turistik, ekspertët vlerësojnë se rrjetet sociale po ndryshojnë mënyrën se si promovohen destinacionet. Për shumë udhëtarë, përvoja autentike dhe pjesëmarrja në ngjarje që tërheqin vëmendjen globale po bëhen po aq të rëndësishme sa vizita në monumente apo atraksione natyrore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit