

Bilanci i tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën vijon të rëndohet, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet mes rrënojave në zonat më të prekura.
Sipas autoriteteve, deri tani janë konfirmuar 235 viktima, mbi 4.300 persona janë plagosur dhe më shumë se 42 mijë rezultojnë ende të zhdukur. Operacionet e shpëtimit janë përqendruar kryesisht në Karakas dhe në rajonin e La Guaira, ku dëmet janë më të mëdha.
Vendi u godit nga dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5, të cilat ndodhën me vetëm 40 sekonda diferencë gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, të dyja lëkundjet ishin të cekëta, me epiqendra në thellësi prej 20.3 dhe 10 kilometrash.
Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë persona dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja. Ndërkohë, mijëra banorë kanë mbetur pa strehë ose po kalojnë natën në ambiente të hapura, nga frika e shembjes së ndërtesave të dëmtuara.
Deri më tani, mbi 250 ndërtesa janë dëmtuar ose janë shembur plotësisht. Gjithashtu, aeroporti ndërkombëtar i Maiquetías, pranë Karakasit, është mbyllur për shkak të dëmtimeve të rënda në infrastrukturë.
Komuniteti ndërkombëtar ka nisur të mobilizohet për të mbështetur operacionet humanitare. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë ndihme prej 150 milionë dollarësh dhe kanë dërguar anije transporti, avionë dhe personel për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe shpërndarjen e ndihmave për të prekurit nga katastrofa.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






