

Holanda ka siguruar vendin e parë në Grupin F të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti 3-1 Tunizinë në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve. "Tulipanët" e mbyllën grupin me shtatë pikë dhe në fazën e 1/16-ave do të përballen me Marokun.
Skuadra holandeze e zgjidhi shpejt takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e tretë falë një autogoli të Ellyes Skhirit. Vetëm katër minuta më vonë, Brian Brobbey dyfishoi shifrat, ndërsa në pjesën e dytë Tunizia ngushtoi përkohësisht diferencën me Mastourin. Golin e sigurisë për Holandën e realizoi Jan Paul van Hecke, duke vulosur fitoren 3-1.
Në sfidën tjetër të grupit, Japonia dhe Suedia barazuan 1-1, rezultat që u siguroi të dyja skuadrave kalimin në fazën me eliminim direkt. Japonezët kaluan të parët në epërsi me Daizen Maeda, ndërsa Suedia reagoi shpejt me një gol spektakolar të Anthony Elanga, duke vendosur rezultatin përfundimtar.
Një moment historik u regjistrua gjatë këtij takimi, pasi Yuto Nagatomo u bë lojtari i parë aziatik që merr pjesë në pesë edicione të Kupës së Botës (2010, 2014, 2018, 2022 dhe 2026).
Renditja përfundimtare e Grupit F:
Holanda – 7 pikë Japonia – 5 pikë Suedia – 4 pikë Tunizia – 0 pikë
Me këtë renditje, Holanda do të përballet me Marokun në 1/16-at, ndërsa Japonia do të ketë përballë Brazilin. Suedia pret të mësojë kundërshtarin e saj në raundin e ardhshëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






