

Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj kritikave për projektligjin që lidhet me blerjen e tokës nga shtetasit e vendeve të Bashkimit Europian, duke theksuar se dispozitat e tij do të hyjnë në fuqi vetëm pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj kritikave për projektligjin që parashikon mundësinë e blerjes së tokës në Shqipëri nga shtetas të vendeve të Bashkimit Europian.
Në reagimin e tij, Rama ironizoi kundërshtarët e nismës, duke cituar vargjet e At Gjergj Fishtës: "Po nuk ban kurrë hajër Shqipnija, n’se padija dhe krenija do të shkojnë njit si trupi e hija". Ai i cilësoi kritikat si të bazuara në keqinterpretim të përmbajtjes së projektligjit.
Sipas kryeministrit, nisma është pjesë e paketës së projektligjeve që lidhen me procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nuk prodhon efekte të menjëhershme. Rama sqaroi se dispozitat e saj do të hyjnë në fuqi shtatë vite pas anëtarësimit të vendit në BE.
Ai theksoi se, pas anëtarësimit, qytetarët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të kenë të drejtë të blejnë tokë në Shqipëri, njësoj si qytetarët shqiptarë do të mund të blejnë prona në vendet e BE-së.
Në përfundim të reagimit, Rama shkroi se "me hyrjen në BE, Shqipëria do të jetë e madhe sa BE-ja dhe BE-ja do të jetë e vogël sa Shqipëria", duke argumentuar se projektligji bazohet në parimin e reciprocitetit mes vendeve anëtare të unionit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






