

Punonjësi i Policisë së Burgjeve dyshohet se i dorëzoi një sasi të dyshuar kokaine një të paraburgosuri brenda IEVP Durrës. Në pranga ka përfunduar edhe i paraburgosuri që dyshohet se e mori lëndën narkotike.
DURRËS – Një punonjës i Policisë së Burgjeve është arrestuar në flagrancë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës, pasi dyshohet se tentoi të fuste lëndë narkotike për një të paraburgosur.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në pranga është vënë punonjësi i policisë së burgjeve me inicialet A. P., si edhe i paraburgosuri A. M. Ata akuzohen për veprat penale "Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve me Burgim" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një kontrolli të ushtruar nga AMSEVP në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, u konstatua se punonjësi i policisë, gjatë ushtrimit të detyrës brenda IEVP Durrës, i kishte dorëzuar të paraburgosurit një sasi të lëndës së dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, autoritetet po vijojnë veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo për raste të tjera të ngjashme brenda institucionit.
AMSEVP u ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve dhe mediave të denoncojnë çdo rast të dyshuar të abuzimit apo shkeljes së detyrës nga punonjësit e strukturave të ekzekutimit të vendimeve penale.
Njoftimi i AMP:
Sot në datën 25.06.2026, nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasve A. P. me detyrë punonjës policie në IEVP Durrës dhe A. M. i burgosur në IEVP Durrës, për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve me Burgim” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283 të Kodit Penal.
Kjo pasi, në IEVP Durrës, nga kontrolli i ushtruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në bashkëpunim me DPB është konstatuar se punonjësi i policisë së burgjeve A. P., gjatë ushtrimit të detyrës brenda në IEVP, i ka dhënë të burgosurit A. M., një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
AMSEVP është duke kryer të gjitha veprimet e tjera verifikuese dhe hetimore për këtë rast dhe raste të ngjashme brenda kësaj IEVP-je, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. AMSEVP inkurajon qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së detyrës nga ana e punonjësve të strukturave
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






