

Juristi Bledi Dervishaj ka reaguar lidhur me vonesën e shpalljes, publikimit dhe hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 57/2026 “Për dhënie amnistie”, duke u bërë thirrje të gjithë personave që pritet të përfitojnë nga ky akt të kenë durim edhe rreth 25 ditë.
Në një analizë të publikuar, Dervishaj rikujton se iniciativa për amnistinë penale u njoftua në fund të vitit 2025, ndërsa projektligji u depozitua në Kuvend më 9 shkurt 2026. Pas disa muajsh pritjeje, ligji u miratua nga Kuvendi më 18 qershor 2026.
Sipas juristit, pas miratimit të një ligji, procedura normale parashikon dërgimin e tij për shpallje nga Presidenti i Republikës dhe më pas botimin në Fletoren Zyrtare. Vetëm pas publikimit, ligji hyn në fuqi 15 ditë më vonë, duke i hapur rrugë zbatimit nga institucionet përgjegjëse.
Dervishaj thekson se deri më tani Ligji nr. 57/2026 nuk rezulton i publikuar në Fletoren Zyrtare, ndërsa në faqen e Presidentit janë shpallur ligjet deri te nr. 56/2026. Sipas tij, kjo do të thotë se ligji ose nuk ka mbërritur ende për shpallje, ose ndodhet ende në proces shqyrtimi.
Ai vëren se vonesa po ndikon drejtpërdrejt te personat që mund të përfitojnë nga amnistia, përfshirë të dënuar, persona nën hetim, avokatë dhe familjarë, të cilët presin hyrjen në fuqi të ligjit për të përfituar nga dispozitat e tij.
Në përfundim, Dervishaj shprehet se nuk arrin të kuptojë arsyet e zvarritjes së procedurës, duke theksuar se bëhet fjalë për një ligj që, sipas tij, udhëhiqet nga parimet e humanizmit dhe që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në situatën juridike të shumë personave.
Shkruan juristi Bledi Dervishaj
Përse po vonohet, shpallja, publikimi dhe hyrja në fuqi e ligjit Nr. 57/2026 “PËR DHËNIE AMNISTIE”?
Për kujtesë në fundvitin e shkuar 2025, u bë publik lajmi se qeveria do të bëjë amnisti penale dhe nga kjo do të përftojnë shumë persona të cilën do të fitonin lirinë e menjëhershme. Pastaj, duket sikur kjo iniciativë humanizmi u la në harresë për disa muaj.
Më pas në 9 shkurt 2026, u depozitua në Kuvend nga qeveria, projektligji për dhënie amnistie.
Kaluan prapë, jo pak por edhe 4 muaj të tjerë derisa ky projektligj mori dritën jeshile të shqyrtimit.
Disa prej personave që mund të ishin liruar nëse ky ligj do ishte miratuar sipas premtimit, e kryen dënimin dhe ndoshta janë liruar, disa të tjerë presin ende, disa të tjerë kanë fituar statusin e përfituesit çka lidhet me momentin se kur ky ligj hyn në fuqi.
E megjithatë, më në fund, Kuvendi në datë 18 qershor 2026, miratoi Ligjin nr. 57/2026 “Për dhënie amnistie”.
Është e pritshme që në të tilla raste, asnjë prej institucioneve të mos vonohet, por të realizojë shpalljen dhe publikimin në Fletoren Zyrtare të ligjit, pasi nga ai moment duhen dhe 15-ditë që ligji të hyjë në fuqi dhe të zbatohet.
Pikërisht nga ai moment për 15-ditë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ajo e Shërbimit të Provës, Prokuroria dhe Gjykata, nisin të vlerësojnë dosjet që kanë në proces duke identifikuar personat, të dënuar, të dyshuar, nën hetim, preket apo jo nga aministia. Jo me më pak interes presim dhe ne, avokatët, personat që përfaqësojmë, apo familjarët e tyre.
Pra, të gjithë presin, që ligji të botohet dhe të hyjë në fuqi.
Deri më sot, asnjë gjurmë nuk ka në fletoren zyrtare për publikimin e këtij ligji të shumëpritur.
Atëherë, dikush e ka marrë me shumë nge shqyrtimin dhe/apo publikimin e ligjit.
Vizitova faqen e Qendrës së Botimeve Zyrtare, nuk ka asnjë gjurmë botimi të ligjit. Fletorja Zyrtare e fundit e botuar është nr. 134 dhe ligji i fundit i publikuar është ligji nr. 55/2026.
Vizitova faqen e Kuvendit të Shqipërsië dhe më rezultoi se Kuvendi e ka zbardhur draftin e votuar të ligjit dhe i ka vendosur dhe numër ligjit nr.57/2026, e kështu mendoj se ligji është dërguar në Presidencë për dekretim dhe shpallje sipas rregullit.
Vizitova faqen zyrtare të Presidentit, dhe më rezultoi se dekretimi i ligjeve të Kuvendit, ka ecur në rend kronologjik me shpalljen e ligjit deri tek ligji nr. 56/2026.
Ligji nr. 57/2026 ende nuk është shpallur. Ose ky ligj ende nuk i ka shkuar Presidencës, ose është ende në shqyrtim prej tyre.
Fakt, është që deri më sot, 1 javë pas miratimit të tij, ligji Nr. 57/2026 “PËR DHËNIE AMNISTIE” ende nuk është publikuar, ndaj çdokush që fatin e tij personal apo rutinën profesionale e ka të lidhur me këtë ligj, do të duhet të presi edhe pak ditë. Maksimumi edhe 25 ditë. Ndaj, durim!
Megjithatë, prapë nuk arrij ta kuptoj, se çfarë arsyesh mund të ketë që të vonohet shpallja, publikimi dhe rrjedhimisht hyrja në fuqi e këtij ligji që udhëhiqet nga parimet e humanizmit.
Sinqerisht, nuk arrij ta kuptoj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






