

Aktivistja Ikballe Huduti Berisha ka reaguar publikisht pasi u shpall “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë” për një periudhë 15-vjeçare, me vendim të Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Huduti u shpreh se vendimi nuk përbën humbje për të, duke theksuar se prej kohësh ka hequr dorë nga frika ndaj atyre që i cilëson si “zullumqarë”.
Në reagimin e saj, ajo deklaron se angazhimi i saj kundër padrejtësive ka sjellë pasoja personale, por se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga bindjet që mbron. Mes të tjerash, Huduti shkruan: “Mjaft më me poshtërimet që më janë bërë nga zullumqarët e vendit tim, qoftë nga pushtetarët apo fetarët.”
Në të njëjtin postim, ajo përdor referenca fetare dhe historike për të shpjeguar qëndrimin e saj, duke thënë se misioni i saj lidhet me mbrojtjen e lirisë dhe drejtësisë. Gjithashtu, ajo shprehet se preferon “një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime” dhe u kërkon mbështetësve të saj lutje në ditën e Ashuras.
Reagimi i Hudutit vjen pas vendimit të autoriteteve shqiptare për ta shpallur atë “person të padëshiruar” në territorin e Republikës së Shqipërisë për 15 vite. Deri më tani, nuk ka pasur një reagim të ri nga Ministria e Brendshme lidhur me deklaratat e saj.
Postimi i Ikballe Berisha Huduti:
Një përgjigjje jo për Ministrin Llamallari por për një vëlla të shqetësuar që më dërgoji këtë lajm në ëhat’s app.
Paqe për ty Vëlla.
Po e di, vëlla i nderuar, e lexova këtë shkrim. S’kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to.
Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër, sepse edhe shpirtin, edhe jetën, edhe zemrën time moti ia kam falur Dikujt që m’i ka falur.
Kam "humbur" nga kjo botë e "bukur" çdo të mirë, që nga dita kur e ngrita zërin kundër padrejtësisë në emër të lirisë humane dhe njerëzillëkut. U shkurorëzova nga kjo botë që nga dita kur e lexova poemën "Qerbelaja" të Naim Frashërit.
Jeta ime nuk do të kishte vlerë në këtë vend të shqiptarisë nëse unë nuk e kryej misionin tim, që ngjason me misionin e shehidëve të Qerbelasë.
Mjaft më me poshtërimet që më janë bërë nga zullumqarët e vendit tim, qoftë nga pushtetarët apo fetarët.
Më e mirë për mua është një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime.
Të kam në dua, vëlla, edhe ju më keni në dua në këtë ditë të Ashuras. Kam nevojë për lutjet e secilit që dëgjon për padrejtësitë që më bëhen në këtë jetë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






