Transmetuar më 25-06-2026, 18:01

Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor, pas dyshimeve për sjellje të pahijshme dhe kërcënim ndaj një zyrtareje të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sipas informacionit të bërë me dije, Berberi është shkarkuar më herët nga posti i drejtorit të Policisë së Shkodrës për shkak të performancës së dobët në detyrë, në një periudhë kur në territorin e qarkut janë evidentuar dhe asgjësuar disa parcela me kultivim të dyshuar kanabisi. Më pas, ai ishte emëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në sektorin e analizës.

Ngjarja e fundit dyshohet të ketë ndodhur këtë të enjte, kur Berberi është paraqitur në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas burimeve, gjatë takimit ai ka përdorur fjalor fyes dhe ka bërë kërcënime ndaj zyrtares, pas vendimit për uljen e tij në detyrë.

Menjëherë pas këtij incidenti të pretenduar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të Berberit nga detyra. Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat për hetim disiplinor lidhur me sjelljen e tij të raportuar.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Burimeve Njerëzore ka depozituar kallëzim penal pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke e akuzuar ish-zyrtarin për ofendime dhe kërcënime gjatë ushtrimit të detyrës.

Autoritetet bëjnë me dije se rasti ndodhet në fazë verifikimi nga AMP, ndërsa pritet zbardhja e plotë e rrethanave dhe përgjegjësive të mundshme në këtë ngjarje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit