Transmetuar më 25-06-2026, 16:36

Tiranë, 25 qershor 2026 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen prej më shumë se 26 ditësh kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një video në rrjetet sociale.

Në videon e shpërndarë prej tij shfaqen katër të rinj nga Irani, të cilët jetojnë në Kanada dhe kanë ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në protestë, ku shprehen kundër qeverisë dhe projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Në postimin e tij, Rama i cilëson ata si “turistë të shtirur” dhe pretendon se pjesëmarrja e tyre ndikon negativisht tek protestuesit e tjerë që, sipas tij, janë të sinqertë.

“Dëgjojeni deri në fund kush ka ardhur ‘turist’ për të shpëtuar Shqipërinë. Me një llaf s’kemi në bulevard vetëm patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur e deri diasporë të shtirur, por kemi edhe turistë të shtirur që kanë ardhur të lëpijnë dhe pickojnë vajzat e djemtë e sinqertë të protestës”, shkruan kryeministri.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur debati për protestat është intensifikuar, ndërsa përplasjet politike mbi pjesëmarrjen e qytetarëve vendas dhe të huaj në to vazhdojnë të jenë të forta në opinionin publik.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit