Transmetuar më 25-06-2026, 16:16

Tiranë, 25 qershor 2026 – Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka mbrojtur projektin turistik të planifikuar në Zvërnec, ndërsa ka kritikuar ashpër drejtuesit e partive të vogla që janë përfshirë në protestën kundër investimit.

I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, Braçe deklaroi se Shqipëria ka nevojë për resorte turistike të standardeve të larta, duke theksuar se investime të tilla janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas tij, institucionet shtetërore duhet të garantojnë balancën mes mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të turizmit, por pengimi i investitorëve të huaj mund të dëmtojë klimën e investimeve në Shqipëri.

“Resortet turistike na duhen shumë dhe na duhen të këtij niveli. Potenciali ekonomik i investitorëve që kanë shprehur interes për Zvërnecin garanton zhvillim, sigurisht me kufizimet dhe kushtet që duhet të vendosin institucionet përkatëse për të ruajtur ekuilibrin mes mjedisit dhe interesave të turizmit. Thyerja e një investitori të huaj në këtë moment, kur Shqipëria ka kaq shumë nevoja, krijon një barrierë që do të jetë e vështirë të kapërcehet edhe nga investitorë të tjerë në të ardhmen”, u shpreh Braçe.

Deputeti socialist u ndal edhe te protesta kundër projektit, duke e cilësuar atë si një tubim ku, sipas tij, po dominojnë interesa politike.

Braçe sulmoi drejtuesit e partive të vogla opozitare, duke përmendur emra si Adriatik Lapaj dhe Arlind Qori, për të cilët tha se nuk kanë marrë mbështetjen e qytetarëve në zgjedhje, por po përpiqen të marrin drejtimin e protestës.

“Agjenda politike gëlon aty brenda, për sa kohë shoh kryetarë partish të pavotuar dhe të pavotueshëm. Kam vënë re se kandidatë për deputetë nga partitë e vogla kanë marrë drejtimin e protestës. Adriatik Lapaj, Arlind Qori dhe të tjerë kanë humbur me votë. Kanë humbur në zgjedhje dhe tani kërkojnë të paraqiten si alternativë”, tha ai.

Në vijim, Braçe kundërshtoi idetë për modele alternative vendimmarrjeje të propozuara nga pjesëmarrës në protestë, duke i cilësuar si të papranueshme.

“Këta të sjellin si alternativë kthimin një mijë vjet mbrapa, në zgjidhje të sheshit. Sheshi që zgjedh 101 përfaqësues dhe 101 përfaqësues që zgjedhin ministra, të cilët më pas duhet t’i votojë Parlamenti. Kjo është çmenduri”, deklaroi deputeti socialist.

Deklaratat e Braçes vijnë në një kohë kur protesta kundër projektit në Zvërnec vijon prej javësh dhe është shndërruar në një debat të gjerë politik mbi zhvillimin turistik, mbrojtjen e mjedisit dhe mënyrën e vendimmarrjes për investimet strategjike në vend.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit