

Tiranë, 25 qershor 2026 – Ndërsa protestuesit vijojnë për të 26-ën ditë radhazi tubimet e tyre në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, kreu i qeverisë ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për të reaguar në rrjetet sociale.
Pasditen e kësaj të enjteje, Rama ka ndryshuar fotografinë e profilit dhe imazhin e kopertinës në llogarinë e tij në Facebook, duke vendosur flamingot, simbolin që është identifikuar gjerësisht me protestën e nisur fillimisht për mbrojtjen e zonës së Zvërnecit dhe lagunës së Nartës.
Veprimi i kryeministrit ka tërhequr menjëherë vëmendjen e përdoruesve në rrjetet sociale, duke gjeneruar reagime dhe komente të shumta.
Flamingoja u kthye në simbol të protestës pas kundërshtimeve ndaj zhvillimeve të planifikuara në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Me kalimin e ditëve, kjo figurë është shndërruar në emblemën e lëvizjes protestuese, e cila sipas organizatorëve ka tejkaluar tashmë çështjen mjedisore dhe është kthyer në një revoltë më të gjerë qytetare kundër qeverisë.
Ndryshimi i imazhit në profilin zyrtar të Ramës vjen në një moment kur protestat vijojnë prej më shumë se tre javësh dhe debati politik rreth tyre mbetet i fortë. Ende nuk ka një sqarim nga kryeministri nëse përdorimi i simbolit të flamingos përbën një mesazh politik, një ironi ndaj protestuesve apo një tjetër formë komunikimi me publikun.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






