Transmetuar më 25-06-2026, 16:32

Pas suksesit të shënuar në Ekspozitën Ndërkombëtare të mbajtur më 24 prill 2026 në Universitetin Normal të Hebeit, veprat artistike të bashkëshorteve të ambasadorëve u prezantuan sërish në një aktivitet të veçantë të organizuar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë nën kujdesin e zonjës Ilda Poda, bashkëshortes së ambasadorit të Republikës së Shqipërisë.

Ekspozita mblodhi përfaqësues të trupit diplomatik dhe bashkëshorte ambasadorësh nga Shqipëria, Maroku, Maqedonia e Veriut, Holanda, Vietnami, Indonezia, Jordania, Letonia, Islanda, Guinea, Ekuadori etj… Të pranishmit patën mundësinë të njiheshin nga afër me krijimet artistike, të cilat pasqyrojnë kultura, tradita dhe perspektiva të ndryshme artistike.

Veprat e ekspozuara, të vlerësuara më herët edhe gjatë aktivitetit në Universitetin Normal të Hebeit, morën vëmendje dhe vlerësime pozitive nga pjesëmarrësit, duke dëshmuar nivelin e lartë të angazhimit artistik dhe kulturor të autoreve.

Në fjalët e tyre, të ftuarit theksuan rëndësinë e aktiviteteve të tilla në forcimin e dialogut kulturor dhe miqësisë ndërmjet vendeve. Ekspozita u shndërrua në një hapësirë takimi, ku arti shërbeu si gjuhë universale për të afruar komunitetin diplomatik dhe për të promovuar mirëkuptimin ndërkulturor.

Përmes kësaj nisme, Ambasada e Republikës së Shqipërisë rikonfirmoi angazhimin e saj për promovimin e diplomacisë kulturore dhe mbështetjen e aktiviteteve që kontribuojnë në forcimin e lidhjeve ndërmjet kombeve dhe popujve.

Me këtë rast, grupit të bashkëshorteve të diplomatëve iu prezantua gjithashtu Shqipëria turistike nëpërmjet pamjeve të bukura nga kolazhi fotografik i fotografit të mirënjohur shqiptar Alket Islami.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit