Transmetuar më 25-06-2026, 15:39

Një familje në Tiranë është tmerruar nga grabitës të armatosur të cilët sulmuan banesën e tyre në rrugën “Gjon Buzuku”, raporton noa.al.

Grabitja u shoqërua me dhunë verbale dhe fizike dhe kërcënimin e thikave, duke arritur të vjedhin një shumë të konsiderueshme eurosh dhe 4 celularë.

Ngjarja ka ndodhur më 22 qershor dhe informacion konkret nuk u bë publik nga policia e Tiranës, në kuadrin e bllokimit që nga 6 maji të pjesës më të madhe të informacionit mbi ngjarjet ditore që firmosi kryepolici Skënder Hita me urdhër të kryeministrit Rama.

Çfarë ndodhi në Tiranë

Noa.al mëson nga burime jozyrtare se më 22 qershor në mbrëmje vonë, disa burra, numri i tyre është i paqartë dhe për policinë, u futën te një shtëpi në rrugën “Gjon Buzuku”.

Familja u përball me hajdutët e dhunshëm të cilët nxorën thikat dhe i kanosën për vdekje. Të paktën tre djem u futën brenda ndërsa disa të tjerë ishin në suport përreth territorit.

Pasi u siguruan se u ishte hapur rruga për të plaçkitur dhe pasi detyruan familjarët të tregojnë ku i kishin paratë, rrëmbyen të gjitha eurot që gjetën, një shumë e konsiderueshme, si dhe u morën anëtarëve të familjes të katër celularët me qëllim që të vononin sa më shumë përpjekjet për të kërkuar ndihmë.

Ngjarja detyroi policinë të vihet në lëvizje dhe sot ajo tha se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Doorbell”.

Në kuadër të operacionit u kapën në zonën e quajtur “Alliasi”, dhe u vunë në pranga bashkautorët e dyshuar, shtetasit E. S., 20 vjeç dhe K. K., 19 vjeç.

Megjithatë krimi kishte tre autorë, por njëri nuk u arrit të kapej ndaj policia tha se u shpall në kërkim autori tjetër i dyshuar, shtetasi Xh. T., 21 vjeç.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ata kanë kanosur me disa mjete prerëse, 2 poseduesit e banesës në rrugën “Gjon Buzuku”, për të vjedhur aty, një shumë të konsiderueshme eurosh dhe 4 celularë, tha policia e Tiranës, e cila shtoi se po punohet për kapjen e 21-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve, në të cilën mund të jenë përfshirë këta shtetas..

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit