

Tiranë, 25 qershor 2026 – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë” të shtetases Igballe Huduti (Berisha), duke i ndaluar hyrjen në territorin shqiptar për një periudhë 15-vjeçare.
Sipas burimeve zyrtare, vendimi është marrë mbi bazën e informacioneve të administruara nga institucionet përgjegjëse të sigurisë, sipas të cilave aktiviteti i saj është vlerësuar si kërcënim për sigurinë kombëtare, rendin publik dhe interesat e Republikës së Shqipërisë.
Urdhri i ministrit i është përcjellë për zbatim strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin, të cilat do të monitorojnë respektimin e masës dhe ndalimin e hyrjes së saj në territorin shqiptar gjatë periudhës së përcaktuar.
Vendimi vjen në një kohë kur emri i Igballe Hudutit është rikthyer në vëmendjen publike pas përfshirjes së saj në protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë.
Më herët gjatë ditës, kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale fotografi nga protesta, ku përfshihej edhe Huduti, duke e akuzuar atë për përhapje të mesazheve të urrejtjes dhe qëndrime ekstremiste.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë pretendoi se ajo kishte bërë thirrje kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kishte shprehur qëndrime në mbështetje të figurave të lidhura me regjimin iranian. Rama e cilësoi praninë e saj në protestë si shqetësuese dhe pjesë të elementëve që, sipas tij, po deformojnë qëllimet e protestës qytetare.



Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






