

Tiranë, 25 qershor 2026 – Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pas një grabitjeje të ndodhur në një banesë në rrugën “Gjon Buzuku”, më 23 qershor 2026.
Sipas policisë, tre të dyshuarit kanë hyrë në banesë gjatë mesnatës dhe, nën kërcënimin e mjeteve prerëse, kanë kanosur dy poseduesit e saj, duke marrë një shumë parash dhe katër celularë.
Gjatë operacionit të koduar “Doorbell”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë bërë të mundur arrestimin e dy të rinjve, të identifikuar si Ersjan Senka, 20 vjeç dhe Kristi Kacoli, 19 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur Xhoni Trampo, 21 vjeç.
Policia bën me dije se të dyshuarit janë lokalizuar dhe arrestuar në zonën e “Alliasit”, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar 900 euro dhe katër celularë, që dyshohet se janë të përfituar nga vepra penale.
Hetimet paraprake tregojnë se autorët kanë përdorur mjete prerëse për të kanosur banorët e shtëpisë dhe për të marrë sendet me vlerë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e personit të tretë të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






