

Lezhë, 25 qershor 2026 – Dy vajza të mitura, 9 dhe 11 vjeçe, kanë humbur jetën pasi u mbytën në det në plazhin e Tales, në një ngjarje të rëndë të ndodhur më 19 qershor, që ka tronditur opinionin publik.
Sipas dëshmive të familjarëve, vajzat kishin hyrë në det për t’u larë gjatë mesditës, kur kushtet në det janë përkeqësuar dhe ato janë marrë nga dallgët, duke mos mundur të dalin më në breg.
Babai i njërës prej viktimave, në një rrëfim mes dhimbjes së thellë, ka deklaruar se vajza i ishte lutur atë ditë për të shkuar në plazh me të afërmit, kërkesë të cilën ai fillimisht nuk kishte pranuar. “M’u lut shumë që të shkonte me tezen. Nuk e kisha lënë kurrë më parë,” është shprehur ai.
Sipas familjarëve, fëmijët kanë hyrë në ujë pa dijeninë e prindërve në momentin kur ndodhi ngjarja, ndërsa tezja e njërës prej vajzave ka qenë e pranishme në plazh.
Ngjarja ka lënë familjen në gjendje të rëndë emocionale dhe ekonomike, ndërsa ata përballen jo vetëm me humbjen e dy fëmijëve, por edhe me vështirësi të mëdha jetese. Familjarët kanë bërë gjithashtu apel për ndihmë dhe solidaritet në këtë moment të vështirë.
Autoritetet vijojnë të rikujtojnë rëndësinë e kujdesit maksimal gjatë frekuentimit të plazheve, veçanërisht për fëmijët, sidomos në kushte kur deti paraqet rrezikshmëri të shtuar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






