

Kavajë, 25 qershor 2026 – Janë zbardhur detaje të reja nga dëshmia e 76-vjeçarit Muharrem Rrashka, i cili akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Eqerem Rrashka, pas një konflikti të ndodhur në fshatin Agonas të Kavajës.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, i moshuari ka deklaruar se mes tij dhe vëllait ekzistonte prej kohësh një mosmarrëveshje për një rrugë që, sipas tij, kalonte në pronën e tij dhe përdorej nga viktima për të hyrë në tokën bujqësore.
Sipas dëshmisë së tij, konflikti është riaktivizuar kur vëllai ka kaluar sërish me zetor në rrugën e kontestuar, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme. Ai pretendon se gjatë debatit situata është përshkallëzuar, duke çuar në përleshje fizike mes tyre.
“Mes nesh kishte konflikte të vjetra për një rrugë që e konsideroja pjesë të pronës sime. I kërkoja vazhdimisht të mos kalonte aty, por ai vazhdonte ta përdorte. Gjatë debatit dhe përleshjes e godita disa herë me thikë. Nuk kisha për qëllim ta përdorja armën, por veprova në gjaknxehtësi e sipër. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi dhe jam penduar”, mësohet të ketë deklaruar 76-vjeçari para hetuesve.
Pas ngjarjes së rëndë, strukturat e Policisë së Kavajës kanë shtuar masat e sigurisë në zonë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit mes familjarëve. Një patrullë policie është vendosur në fshatin Agonas për monitorimin e situatës.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






