

Tiranë, 25 qershor 2026 – Të paktën 60 studentë të Akademisë së Sigurisë janë paraqitur në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) me simptoma të të vjellave dhe shqetësime të tjera shëndetësore, duke ngritur dyshime për një rast të mundshëm helmimi ushqimor.
Sipas të dhënave paraprake, 60 studentë kanë marrë ndihmë mjekësore, duke u mbajtur nën vëzhgim nga personeli shëndetësor. Autoritetet kanë nisur menjëherë verifikimet dhe kanë marrë mostra ushqimore për analiza laboratorike.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se në institucion janë shpërndarë rreth 1.200 racione ushqimi, por vetëm një numër i kufizuar studentësh kanë raportuar probleme shëndetësore. Për këtë arsye, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse bëhet fjalë për një helmim ushqimor masiv apo për një incident me shkaqe të tjera.
Sipas informacionit paraprak, darka e konsumuar nga studentët ka përfshirë pilaf, makarona, fasule, sallam, salsiçe, kos, qumësht dhe bukë. Të gjitha produktet ushqimore janë vënë nën verifikim nga specialistët e sigurisë ushqimore.
Studentët kanë nisur të shfaqin simptomat rreth orës 20:00 të mbrëmjes, duke kërkuar më pas ndihmë mjekësore në QSUT.
Ndërkohë, ekspertët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) kanë sekuestruar mostrat e ushqimit dhe po presin rezultatet laboratorike, të cilat pritet të përcaktojnë nëse incidenti lidhet me kontaminim ushqimor apo me faktorë të tjerë.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet shëndetësore dhe institucionet përgjegjëse pritet të dalin me një raport zyrtar pas përfundimit të analizave.
Tiranë/Informacion paraprak
Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.
Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.
Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






