Transmetuar më 25-06-2026, 10:10

Tiranë, 25 qershor 2026 – Forcat Speciale RENEA dhe Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) kanë marrë në ruajtje 24-orëshe Ilir Selmanin, një nga të pandehurit për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, pas lirimit të tij nga paraburgimi me vendim të Gjykatës së Apelit të Posaçëm.

Sipas raportimeve, masa e shtuar e sigurisë është kërkuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), për shkak të shqetësimeve mbi mundësinë e një arratisjeje. Aktualisht, Selmani ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, e vendosur pas konstatimit të përfundimit të afateve ligjore të paraburgimit gjatë procesit gjyqësor.

Vendimi për ndryshimin e masës së sigurisë u mor më 19 qershor 2026 nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, e cila pranoi kërkesën e mbrojtjes dhe konstatoi humbjen e fuqisë së masës “arrest në burg” për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.

Selmani është dënuar në shkallë të parë me 26 vite burg për akuzën e vrasjes së kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Ai akuzohet si një nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Burime pranë procesit bëjnë të ditur se, nëse vendimi i shkallës së parë lihet në fuqi nga Apeli, Selmani do të rikthehet menjëherë në burg për të vijuar vuajtjen e dënimit.

Paralelisht, ndaj tij po zhvillohet edhe një procedim tjetër penal nga Prokuroria e Elbasanit për veprën penale të futjes së sendeve të palejuara në institucionet e vuajtjes së dënimit, pasi gjatë një kontrolli në burg atij iu gjet një aparat celular.

Çështja mbetet në shqyrtim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, e cila pritet të japë vendimin përfundimtar në vijim të procesit gjyqësor.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit