Transmetuar më 25-06-2026, 08:03

MIAMI, SHBA – Një nga momentet më emocionuese të Kupës së Botës 2026 u regjistrua në fitoren 3-0 të Brazilit ndaj Skocisë, aty ku Neymar riktheu veshur fanellën verdhejeshile në një ndeshje Botërori pas një periudhe të gjatë mungese.

Ylli i Santosit u aktivizua në pjesën e dytë të takimit nga trajneri Carlo Ancelotti, duke shënuar rikthimin e tij të shumëpritur në skenën më të madhe të futbollit botëror. Hyrja e tij në fushë u prit me duartrokitje të gjata nga tifozët e pranishëm në stadiumin e Miamit, në një atmosferë të mbushur me emocione.

Edhe pse nuk arriti të regjistronte emrin në listën e golashënuesve, prezenca e Neymarit u konsiderua si një nga lajmet më të mira për kombëtaren braziliane, e cila synon triumfin në këtë edicion të Botërorit.

Në përfundim të sfidës, emocionet pushtuan sulmuesin 34-vjeçar. Neymar nuk arriti t’i mbante lotët pas fishkëllimës finale, teksa festonte rikthimin në kombëtare pas një periudhe të vështirë të karakterizuar nga dëmtime dhe mungesa të gjata nga fushat e blerta.

Pamjet e transmetuara pas ndeshjes treguan edhe reagimin e trajnerit Carlo Ancelotti, i cili u shfaq duke duartrokitur dhe përgëzuar futbollistin brazilian për paraqitjen dhe rikthimin e tij.

Për Neymarin, kjo mbrëmje ishte shumë më tepër sesa disa minuta në fushë. Ishte rikthimi i një lideri, i një simboli të futbollit brazilian dhe një moment që u përjetua me emocione të forta nga tifozët, bashkëlojtarët dhe stafi teknik i Brazilit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit