

MEKSIKË – Grupi A i Kupës së Botës 2026 ka ulur siparin e fazës së grupeve, me Meksikën që konfirmoi dominimin absolut duke mposhtur 3-0 Çekinë dhe duke e eliminuar nga turneu. Në ndeshjen tjetër, Afrika e Jugut triumfoi 1-0 ndaj Koresë së Jugut, duke siguruar për herë të parë në histori kualifikimin në fazën me eliminim direkt të një Botërori.
Në stadiumin “Azteca” të Mexico City, vendasit zhvilluan një tjetër paraqitje bindëse përballë Çekisë. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, Meksika zgjidhi gjithçka në 45 minutat e dyta me golat e Chavez Garcia, Quinones dhe Fidalgo, duke vulosur fitoren 3-0.
Me këtë sukses, skuadra meksikane e mbylli Grupin A me nëntë pikë të plota, tre fitore në tre ndeshje dhe pa pësuar asnjë gol. Një arritje historike për përfaqësuesen e Amerikës së Veriut, e cila për herë të parë fiton të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve në një Kupë Bote.
Momenti më emocionues i mbrëmjes erdhi në minutën e 78-të, kur portieri legjendar Guillermo Ochoa u aktivizua në moshën 40-vjeçare. Për veteranin meksikan ky është Botërori i gjashtë në karrierë dhe i katërti ku arrin të zbresë në fushë.
Ndërkohë, në Monterrey, Afrika e Jugut shkroi një kapitull të ri në historinë e saj futbollistike. Goli i Thapelo Masekos në minutën e 63-të i dha fitoren 1-0 ndaj Koresë së Jugut dhe njëkohësisht biletën për në raundin e 1/16-ave.
Për afrikanët, ky është kualifikimi i parë ndonjëherë në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Nga ana tjetër, Korea e Jugut mbetet në pritje të rezultateve të grupeve të tjera, me shpresën për të avancuar si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta.
Renditja përfundimtare e Grupit A Meksika – 9 pikë Afrika e Jugut – 4 pikë Korea e Jugut – 3 pikë Çekia – 1 pikë
Meksika dhe Afrika e Jugut sigurojnë kualifikimin direkt në raundin e 1/16-ave, ndërsa Korea e Jugut pret verdiktin final të fazës së grupeve. Çekia eliminohet pas një fushate zhgënjyese me vetëm një pikë të grumbulluar.
Kombëtaret e kualifikuara deri tani në 1/16-at: Meksika, SHBA-ja, Gjermania, Argjentina, Franca, Norvegjia, Kolumbia, Zvicra, Kanadaja, Bosnje-Hercegovina, Brazili, Maroku dhe Afrika e Jugut.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






