Transmetuar më 25-06-2026, 07:33

SHBA – Grupi C i Kupës së Botës 2026 ka mbyllur ndeshjet e fazës së grupeve, me Brazilin dhe Marokun që kanë siguruar zyrtarisht kualifikimin për në raundin e 1/16-ave. Ndërkohë, Skocia mban gjallë shpresat për të avancuar si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta, ndërsa Haiti i jep lamtumirën turneut.

Në sfidën e zhvilluar në Miami, Brazili tregoi superioritet të plotë ndaj Skocisë, duke triumfuar me rezultatin 3-0. Protagonist i takimit ishte Vinicius Junior, i cili realizoi dy gola. Sulmuesi brazilian zhbllokoi sfidën që në minutën e 7-të pas një gabimi në mbrojtjen skoceze dhe vulosi dopietën në kohën shtesë të pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, Matheus Cunha realizoi golin e tretë për ekipin e drejtuar nga Carlo Ancelotti, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer në këtë Botëror. Momenti më emocionues i mbrëmjes ishte rikthimi në fushë i Neymarit, i cili u aktivizua në minutën e 76-të pas një mungese të gjatë për shkak të dëmtimit. Kapiteni brazilian u rikthye në kombëtare pas tre vitesh, duke mos i fshehur emocionet.

Në Atlanta, Maroku përmbysi një ndeshje spektakolare ndaj Haitit dhe fitoi 4-2. Haiti surprizoi fillimisht duke kaluar në avantazh pas një autogoli të portierit Bono në minutën e 10-të. Achraf Hakimi barazoi shifrat në minutën e 39-të, por vetëm katër minuta më vonë haitianët rikthyen epërsinë.

Megjithatë, marokenët reaguan menjëherë dhe barazuan në kohën shtesë të pjesës së parë me Saibarin. Në pjesën e dytë, Rahimi dhe Yassine kompletuam përmbysjen, duke i dhuruar Marokut fitoren dhe kualifikimin.

Renditja përfundimtare e Grupit C:

Brazili – 7 pikë Maroku – 7 pikë Skocia – 3 pikë Haiti – 0 pikë

Brazili dhe Maroku avancojnë direkt në fazën e 1/16-ave, ndërsa Skocia do të presë rezultatet e grupeve të tjera për të mësuar nëse do të sigurojë një vend mes ekipeve më të mira të vendeve të treta.

Kombëtaret e kualifikuara deri tani në 1/16-at: Meksika, SHBA, Gjermania, Argjentina, Franca, Norvegjia, Kolumbia, Zvicra, Kanadaja, Bosnje-Hercegovina, Brazili, Maroku dhe Afrika e Jugut.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit