

Ish-ministrja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka dalë me një qëndrim kritik ndaj drejtimit aktual të PS-së, duke u rreshtuar krah zërave që kërkojnë reformim të brendshëm në parti.
Në një reagim publik, Meksi thekson se Partia Socialiste rrezikon të humbasë aftësinë për vetëkorrigjim nëse nuk hapet ndaj kritikës dhe nuk rinovon strukturat e saj organizative.
Sipas saj, PS ka nevojë për zgjedhje të rregullta çdo katër vjet në të gjitha nivelet e saj, si një mënyrë për të forcuar lidhjen me anëtarësinë dhe për të rritur legjitimitetin e brendshëm.
Ajo nënvizon gjithashtu se Asambleja Kombëtare duhet të jetë produkt i votës së delegatëve dhe jo i përfshirjes automatike të funksionarëve, duke argumentuar se kjo qasje dobëson përfaqësimin demokratik brenda partisë.
Meksi kritikon edhe mënyrën e funksionimit të listave të mbyllura për deputetët, duke theksuar se ato e zbehin lidhjen e përfaqësuesve me bazën e partisë dhe elektoratin.
Në reagimin e saj, ish-ministrja propozon rishikim të mënyrës së zgjedhjes së kryetarit të partisë, duke sugjeruar që legjitimiteti të vijë nga Kongresi përmes garës dhe debatit të hapur, dhe jo vetëm përmes votimit formal të anëtarësisë.
Ajo shton se një parti më kolegjiale, më meritokratike dhe më e hapur ndaj mendimit ndryshe do të ishte më e aftë të përballojë sfidat politike dhe të ruajë rolin e saj në jetën publike të vendit.
Reagimi i plotë i Ermelinda Meksit:
I bashkohem reflektimit tend Ilir Zela, i cili ngre një çështje thelbësore: demokratizimi i Partisë Socialiste nuk mund të mbetet thjesht slogan, por duhet të shndërrohet në një proces real politik dhe statutor.
Mesazhi kryesor i këtij propozimi lidhet me synimin për të shmangur rrezikun që kërcënon nje organizatë politike si PS, atë të humbjes se aftësisë për t’u vetëkorrigjuar. Një parti që nuk reflekton mbi veten, që nuk hapet ndaj kritikës dhe që nuk rinovon mekanizmat e saj të brendshëm, rrezikon të humbasë lidhjen me anëtarësinë dhe me shoqërinë.
Nëse duam një PS më të hapur, më përfaqësuese dhe më të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, duhet kurajë për t’ju rikthyer atyre parimeve që dikur garantonin ekuilibër, përfaqësim dhe legjitimitet të brendshëm,nepermjet zgjedhjeve e rifreskimit te strukturave te PS cdo 4 vjet.
Asambleja Kombëtare duhet të jetë produkt i vullnetit të delegatëve të Kongresit dhe jo të ndërtohet mbi anëtarësime ex officio që zbehin peshën e zgjedhjes demokratike. Deputetët dhe kryetarët e bashkive kanë përgjegjësi të rëndësishme publike, por ato nuk mund të zëvendësojnë vullnetin e anëtarësisë dhe të forumeve përfaqësuese të partisë. Aq më tepër kur një pjesë e madhe e deputetëve janë produkt i listave të mbyllura, çka e dobëson edhe më tej lidhjen e tyre direkte me bazën.
Po aq e rëndësishme është edhe rishikimi i mënyrës së zgjedhjes së kryetarit.
Përvoja e viteve të fundit tregoi se modeli “një anëtar, një votë”, në kushtet e mungesës së garës reale dhe të pabarazisë së instrumenteve politike, jo domosdoshmërisht prodhoi më shumë demokraci të brendshme. Përkundrazi, ai shpesh u shndërrua në një mekanizëm që forcoi më tej pushtetin e kryetarit mbi partinë. Kryetari duhet të marrë legjitimitetin e tij nga Kongresi, çdo 4 vjet, përmes debatit të hapur, konkurrencës së ndershme dhe përballjes së alternativave.
Partia Socialiste ka nevojë për më shumë kolegjialitet, më shumë debat, më shumë meritokraci dhe më shumë hapësirë për mendimin ndryshe. Vetëm kështu mund të rifitojë energjinë, besimin dhe rolin që historikisht ka pasur në jetën politike të vendit.
Socialistë ne moshe te re dhe me përvojë si ju, por edhe brezi më i ri që mbart energji dhe ide të reja, kanë kapacitetin për të iniciuar dhe udhëhequr këtë proces ripërtëritjeje. Koha kërkon guxim për të ndryshuar dhe mençuri për të ruajtur vlerat më të mira mbi të cilat u ndërtua Partia Socialiste.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






