

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur të zgjasë edhe për një vit gjendjen e emergjencës kombëtare që lidhet me situatën në Ballkanin Perëndimor, duke e mbajtur atë në fuqi deri më 26 qershor 2027.
Vendimi është bërë publik përmes një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, ku theksohet se veprimet e individëve dhe grupeve që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe përpjekjet ndërkombëtare në rajon vazhdojnë të përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane.
Sipas dokumentit të publikuar në Regjistrin Federal, situata aktuale në Ballkanin Perëndimor vazhdon të paraqesë “një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm” për interesat e SHBA-së, çka justifikon vazhdimin e masave të emergjencës përtej qershorit 2026.
Gjendja e emergjencës u shpall fillimisht më 26 qershor 2001 nga ish-presidenti George W. Bush, në periudhën pas konflikteve që përfshinë Ballkanin gjatë viteve ’90. Në vitin 2021, administrata amerikane zgjeroi fushëveprimin e saj për të përfshirë individë dhe organizata të akuzuara për korrupsion, destabilizim dhe pengim të zbatimit të marrëveshjeve të paqes në rajon.
Vendimi i fundit shihet si një tregues se Uashingtoni vazhdon ta konsiderojë Ballkanin Perëndimor një rajon me rëndësi strategjike për sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik, veçanërisht në Kosova dhe Bosnje dhe Hercegovinë, ku mbeten sfida politike dhe institucionale.
Në një raport të publikuar në maj, Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi Ballkanin Perëndimor si një rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për interesat strategjike dhe ekonomike amerikane. Raporti identifikon Rusia dhe Kina si aktorë që përpiqen të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe dobësitë institucionale në rajon për të zgjeruar ndikimin e tyre.
Ndërkohë, situata në Kosovë vlerësohet përgjithësisht e qëndrueshme nga partnerët ndërkombëtarë të sigurisë. Megjithatë, vendi vijon të përballet me sfida politike të brendshme dhe vështirësi në krijimin e konsensusit institucional pas proceseve të njëpasnjëshme zgjedhore.
Edhe në Bosnje dhe Hercegovinë mbeten të hapura debatet mbi rolin e komunitetit ndërkombëtar, pas njoftimit për largimin nga detyra të Christian Schmidt. Çështja ka nxitur përplasje politike mes aktorëve të ndryshëm në vend lidhur me të ardhmen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë dhe kompetencat e saj.
Vendimi i administratës Trump konfirmon se SHBA-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, duke e konsideruar stabilitetin e rajonit një element të rëndësishëm të politikës së saj të jashtme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






