Transmetuar më 24-06-2026, 16:13

TIRANË – Kreu i Partia e Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij.

Gjatë seancës, Meta deklaroi se dëshmia e Ramës është e rëndësishme për të sqaruar rrethanat që lidhen me ndryshimet në ligjin për minierat dhe procesin e vendimmarrjes që ka shoqëruar miratimin e tij. Në listën e dëshmitarëve të propozuar prej tij përfshihen gjithashtu ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, si dhe deputeti socialist Taulant Balla.

Meta kërkoi gjithashtu angazhimin e një eksperti të pavarur në fushën e minierave, me qëllim verifikimin e efekteve që kanë sjellë ndryshimet ligjore dhe identifikimin e subjekteve që mund të kenë përfituar prej tyre.

“Në këtë çështje duhet të vijë Edi Rama, duhet të vijë edhe drejtuesi i grupit parlamentar të PS-së. Kurrë nuk kam diskutuar me askënd për të marrë apo lënë një banesë. Të gjitha këto janë lidhje absurde, pasi nuk ekziston asnjë provë konkrete”, u shpreh Meta gjatë deklaratës së tij në gjykatë.

Në vijim të qëndrimit të tij, ai hodhi poshtë akuzat që lidhen me pasuritë e paluajtshme, duke i cilësuar ato si pretendime të pabazuara dhe “montazhe”, ndërsa dha shpjegime edhe për lëvizjet e tij ndër vite nga një banesë në tjetrën.

Kërkesa e Metës për thirrjen e dëshmitarëve pritet të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë nëse personat e propozuar do të dëshmojnë në kuadër të procesit gjyqësor.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit