Transmetuar më 24-06-2026, 15:52

Kryeministri indian Narendra Modi u takua të martën me drejtorin e Zyrës së Komitetit Qendror për Punët e Jashtme të Kinës, Wang Yi, i cili ndodhet në Nju-Delhi për të marrë pjesë në Takimin e 16-të të Përfaqësuesve të Lartë për Sigurinë Kombëtare të BRICS-it.

Gjatë takimit, Narendra Modi tha se India dhe Kina janë të dyja qytetërime të lashta me një histori mijëravjeçare të shkëmbimeve miqësore dhe të dy vendet kanë mbajtur një pozicion drejtues në botë për një periudhë të gjatë.

Në situatën aktuale, dy vendet duhet të vazhdojnë të zhvillojnë miqësinë tradicionale, të ruajnë kontaktet e nivelit të lartë, të nxitin bashkëpunimin praktik dhe të mbrojnë interesat e përbashkët të vendeve të Jugut Global, theksoi ai.

Modi tha gjithashtu që India e mbështet marrjen nga Kina të kryesimit të radhës të BRICS-it në vitin e ardhshëm dhe është e gatshme të punojë me palën kineze për të promovuar zhvillimin e kauzës së BRICS-it.

Ndërsa Wang Yi u shpreh se, si dy vendet më të mëdha në zhvillim e dy anëtare të rëndësishme të Jugut Global, Kina dhe India duhet të luajnë një rol shembullor në nxitjen e bashkimit dhe vetëmbështetjes midis vendeve të Jugut Global.

Ai vuri në dukje që Kina do të vijojë ta mbështesë Indinë në përmbushjen e detyrës si vendi kryetar i radhës i BRICS-it dhe do të punojë me Indinë për të nxitur përparimin në bashkëpunimin e BRICS-it.

Wang Yi u shpreh më tej që Kina është e gatshme të punojë me Indinë për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur midis udhëheqësve të të dyja vendeve, për të forcuar vazhdimisht besimin, për të trajtuar siç duhet problemet e ndjeshme, për të thelluar bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, për të ruajtur prirjen pozitive të zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Indi dhe për të çuar përpara së bashku procesin e modernizimit të njëra-tjetrës.

Kjo përputhet plotësisht me interesat themelore të të dy popujve dhe me pritjet e bashkësisë ndërkombëtare, tha kryediplomati kinez.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit