Transmetuar më 24-06-2026, 15:28

SARANDË, 24 qershor 2026 – Një rast i pazakontë është regjistruar në Sarandë, ku një 49-vjeçar është dënuar me një vit burg për ndërtim pa leje të një depoje uji pranë banesës së tij në fshatin Metoq.

Bëhet fjalë për shtetasin Kristaq Dai, i cili u ndalua nga policia në maj të këtij viti për të vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Sarandës për veprën penale të “ndërtimit të paligjshëm”. Vendimi është marrë më 22 korrik 2025 nga gjyqtari Entiljano Spahiu, në mungesë të të pandehurit.

Sipas dosjes gjyqësore, më 21 dhjetor 2020 inspektorët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Sarandë konstatuan se Dai po ndërtonte një strukturë me hekur dhe dërrasa me qëllim ngritjen e një depoje uji, pa u pajisur me lejen përkatëse nga autoritetet vendore.

Objekti ishte ngritur pranë banesës së tij, por jo në truallin që rezultonte në pronësi të 49-vjeçarit. Përveç masës administrative prej 500 mijë lekësh të rinj (5 milionë lekë të vjetra), rasti iu referua edhe organit të akuzës për ndjekje penale.

Vendimi mori formë të prerë më 29 tetor 2025, ndërsa ekzekutimi i tij u bë i mundur vetëm shtatë muaj më vonë, pas lokalizimit dhe arrestimit të Dait nga policia e Sarandës. Ai u transferua në një institucion të vuajtjes së dënimit për të kryer masën e dhënë nga gjykata.

Pas arrestimit, 49-vjeçari kërkoi rivendosjen në afat të së drejtës së ankimit, duke pretenduar se nuk kishte qenë në dijeni të procesit gjyqësor dhe se ishte dënuar pa u njoftuar. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Mexhit Doci, i cili vendosi ta rrëzojë atë.

Sipas arsyetimit të gjykatës, rivendosja në afat mund të aplikohet vetëm në raste të caktuara procedurale. Nga verifikimet rezultoi se aktet e njoftimit nuk kishin mundur t’i komunikoheshin personalisht Dait, pasi ai nuk ishte gjetur në adresën e deklaruar të banimit.

Për pasojë, dënimi me një vit heqje lirie mbetet në fuqi. Rasti konsiderohet i rrallë në praktikën gjyqësore vendase, pasi lidhet me ndërtimin pa leje të një depoje uji dhe jo të një objekti banimi apo ndërtimi me përmasa të mëdha.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit