Transmetuar më 24-06-2026, 12:41

Zonat malore të Librazhdit janë përfshirë nga një situatë e rënduar meteorologjike, ku përkeqësimi i menjëhershëm i motit ka sjellë stuhi të fuqishme dhe një aktivitet intensiv të shkarkesave elektrike. Rrufetë e shumta kanë goditur disa pika në Parkun Kombëtar të Shebenikut, si dhe në malësitë e Sopotit, Polisit, Xhyrës, Dardhës dhe Spatharit, duke shkaktuar panik të madh te banorët që ndodheshin në kullota dhe zona të hapura.

Ngjarja më dramatike ka ndodhur në fshatin Spathar, në Njësinë Administrative Qendër, në vendin e njohur si “Arrës”, ku një bllok blegtoral është goditur direkt nga rrufeja. Si pasojë e shkarkesës së fuqishme elektrike, të gjitha bagëtitë e tufës së dhive kanë ngordhur në vend, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik familjes blegtore.

Pranë tufës në momentin e goditjes fatale ndodhej edhe bariu S. Kurti, i cili ka arritur t’i mbijetojë mrekullisht rrymës elektrike në terren. Ai u gjet disa orë më vonë nga familjarët e tij në gjendje të rënduar psikologjike dhe në gjendje të thellë shoku. Pasi iu dha ndihma e parë, mësohet se bariu fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Banorët lokalë e kanë përshkruar këtë stuhi si një nga më të fuqishmet e shënuara në rajon përgjatë viteve të fundit, ku rrufetë e pandërprera kanë rrezikuar seriozisht jetën e blegtorëve në kullotat malore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit