

Zbardhja e komunikimeve në aplikacionin e koduar Sky ECC nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nxjerrë në dritë detaje të reja rreth xhiros miliona euroshe të një rrjeti të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Në qendër të këtij hetimi, që goditi grupet e drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe Armando Pacani, spikasin vëllezërit Salvatore dhe Isa Aliu.
Sipas dosjes hetimore, Salvatore Aliu dyshohet se kishte rolin e furnizorit kryesor me lëndë narkotike për grupet e mësipërme, ndërsa vëllai i tij, Isa Aliu, kujdesej për grumbullimin, llogaritjen dhe fshehjen e shumave të majme të parave cash në banesë.
Brenda dy javësh, shuma në shtëpi arriti në 9.8 milionë euro
Hetuesit kanë dokumentuar rritjen e frikshme të vëllimit të parave të dorëzuara cash nga korrierët e rrjetit kriminal:
30 gusht 2020: Isa Aliu njofton vëllanë e tij se disponon rreth 6 milionë euro cash në shtëpi.
15 shtator 2020: Brenda rreth dy javësh, shuma e akumuluar arrin në 9.8 milionë euro.
Flukset e radhës: Në një komunikim paralele, Salvatore Aliu e paralajmëron të vëllanë se në vijim pritej të mbërrinin edhe 20 milionë euro të tjera.
Mes qindra mesazheve, vëmendjen e hetuesve e ka tërhequr një bisedë ku Isa Aliu i shpreh vëllait shqetësimin se nëna e tyre kishte filluar të trembej dhe të habitej nga thasët me para që ekzistonin në shtëpi, gjë që ka sjellë përgjigjen ironike të Salvatores për t’ia mbushur dyshekun me miliona që të flinte rehat.
Dialogu i plotë i zbardhur nga Sky ECC:
Isa Aliu: Ato që kanë dhënë lekët. Salvatore: Aty në Shqipëri? Salvatore: Se do t’i mbyll llogaritë me të gjithë. Isa Aliu: Këtu janë bërë rreth 9 milionë e 800. Salvatore: Dua të shoh sa lekë të kanë dorëzuar ty. Salvatore: Edhe si t’i kanë dorëzuar, do m’i kalosh. Isa Aliu: Me atë që kam mbledhur… Salvatore: Nuk i dua kështu. Salvatore: I dua në total. Isa Aliu: OK. Salvatore: I dua sipas mënyrës si t’i kanë dorëzuar. Salvatore: Ose si i ke mbajtur të shënuara. Isa Aliu: Po, i kam shënuar. Isa Aliu: Natën, zemër, plaka ka filluar të trembet. Salvatore: Pse? Salvatore: Për çfarë? Salvatore: Çfarë ka? Isa Aliu: Po, sa herë vjen dikush dhe më sheh… Salvatore: Po s’ka gjë, çfarë ka parë? Isa Aliu: Po pra. Isa Aliu: Habitet. Salvatore: Mbushja një dyshek. Salvatore: Që të flejë rehat. Isa Aliu: Thotë: “Pse ekzistojnë kaq shumë?” Salvatore: Janë edhe 20. Salvatore: Akoma. Salvatore: Që duhet të vijnë.
Hetimet e SPAK mbi këtë strukturë kriminale po vijojnë për të zbardhur të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të produktit të veprës penale, me qëllim sekuestrimin dhe kalimin e tyre në favor të shtetit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






