Transmetuar më 24-06-2026, 10:42

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar nismën më të re të qeverisë, "Rilindja Urbane 2.0", gjatë një eventi të dedikuar infrastrukturës nëntokësore në zonat urbane. Në qendër të këtij programi të ri, i cili do të publikohet zyrtarisht në dhjetëditëshin e parë të korrikut në Konferencën Kombëtare mes qeverisë dhe pushtetit vendor, do të jetë sistemimi i kabllove ajrore dhe kalimi gradual i tyre në rrjete nëntokësore, duke eliminuar atë që kreu i qeverisë e quajti "fije merimangash".

Sipas Ramës, një inventar i kryer tregon se pjesa dërrmuese e këtyre kabllove ajrore plastike janë aktualisht pa funksion dhe qëndrojnë aty vetëm si pasojë e harresës dhe mungesës së vëmendjes nga autoritetet dhe operatorët.

Shtyllat kryesore të programit "Rilindja Urbane 2.0"

Përveç pastrimit të kabllove ajrore, manifesti i ri do të adresohet përmes disa ndërhyrjeve kapitale në rang vendi:

Ujësjellës-Kanalizime: Një ndërhyrje gjithëpërfshirëse për të mbyllur investimet në segmentet e mbetura të rrjetit të përgjithshëm, duke synuar një zgjidhje shteruese për zonat e paadresuara deri më tani.

Transport Urban dhe Interurban i Gjelbër: Reformim i transportit publik me fokus të veçantë përballimin e fluksit gjatë sezonit të pikut turistik. Synohet kalimi në autobusë plotësisht elektrikë dhe krijimi i një sistemi administrimi direkt nga bashkitë.

Park Logjistik dhe Parkime: Ngritja e një parku logjistik kombëtar në shërbim të bashkive për punimet e pastrimit, mirëmbajtjes dhe situatave post-emergjencë, si dhe mbështetja e një programi për shtimin e kapaciteteve të parkimit.

Mbështetje për Start-up-et dhe Bujqësinë: Alokim i financimeve të reja përmes programit "Start Up Albania" dhe projektit "Dyfisho sipërmarrjen tënde". Gjithashtu do të stimulohet krijimi i kompanive të përbashkëta mes njësive të vetëqeverisjes vendore dhe fermerëve apo sipërmarrësve në fshat. Objektivi "Shoqëria Gigabit" dhe rrjeti 5G

I pranishëm në këtë takim, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, vuri theksin te digjitalizimi i infrastrukturës paralele me ndërhyrjet fizike. Karakaçi deklaroi se synimi strategjik është që të gjitha zonat e populluara të vendit të mbulohen nga rrjetet me shpejtësi të lartë dhe performancë 5G, duke e çuar Shqipërinë drejt ndërtimit të një "shoqërie gigabit" ku qytetarët dhe bizneset do të kenë akses të plotë në internet ultra të shpejtë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit