Transmetuar më 24-06-2026, 08:03

Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim publik një projektligj për ndryshimin e ligjit nr. 25/2024 "Për sigurinë kibernetike", duke parashikuar sanksione të ashpra financiare për operatorët e infrastrukturave kritike që shkelin rregullat. Ndryshimet e reja ligjore synojnë forcimin e mbrojtjes së sistemeve digjitale kombëtare, rritjen e kontrollit mbi hapësirën virtuale dhe përmirësimin e koordinimit institucional kundrejt sulmeve të mundshme kibernetike.

Sipas relacionit shoqërues, nisma zgjeron ndjeshëm kompetencat e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe vendos detyrime të rrepta monitorimi dhe vetëdeklarimi për të gjithë operatorët që administrojnë të dhëna me rëndësi strategjike për vendin. Detyrimet e reja dhe sanksionet e rrepta financiare

Projektligji prezanton një sërë mekanizmash të rinj kontrolli, ku dështimi në zbatimin e tyre do të shoqërohet me gjoba të konsiderueshme administrative:

Bllokimi i treguesve të sulmit: Operatorët janë të detyruar të zbatojnë masat e menjëhershme të identifikuara nga AKSK për bllokimin ose neutralizimin e treguesve të komprometimit (IOC) dhe sulmeve (IOA). Moszbatimi i këtyre masave ndëshkohet me gjobë nga 4 deri në 10 milionë lekë.

Vetëdeklarimi i masave të sigurisë: Krijohet një instrument i ri paraprak ku operatorët kritikë duhet të vetëdeklarojnë masat e tyre të sigurisë. Dorëzimi jashtë afatit i këtij dokumenti do të gjobitet me 5 milionë lekë.

Deklarimi i hostimit dhe shërbimeve Cloud: Kompanitë dhe institucionet duhet të deklarojnë zyrtarisht mënyrës e administrimit dhe vendndodhjen gjeografike të infrastrukturës së tyre të informacionit, duke përfshirë detaje mbi përdorimin e shërbimeve cloud apo virtualizimit. Ndryshimet strukturore: Ngrihet Grupi Ndërinstitucional i Inteligjencës

Në rrafshin institucional, projektligji parashikon themelimin e Grupit Ndërinstitucional të Inteligjencës Kibernetike pranë AKSK-së. Ky strukturë do të shërbejë për shkëmbimin në kohë reale të të dhënave mbi kërcënimet virtuale dhe vlerësimin e ndikimit të tyre në sigurinë kombëtare. Në të do të bëjnë pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK)

Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH)

Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Shtabi i Përgjithshëm i FA dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM)

Përveç kësaj, ligji do të përmirësojë funksionimin e CSIRT-eve sektoriale (strukturat e menaxhimit të incidenteve).

Kostot financiare për buxhetin e shtetit

Zbatimi i kësaj reforme do të kërkojë personat të specializuar dhe ngritje të strukturave të reja, çka do të përkthehet në kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Për fazën fillestare gjatë vitit 2026, kostoja për funksionimin e CSIRT-eve sektoriale parashikohet të jetë 120–150 milionë lekë, ndërsa me shtrirjen e plotë të projektit, efekti financiar do të arrijë në 350–450 milionë lekë në vit. Këto shpenzime pritet të mbulohen nga buxhetet ekzistuese të vetë institucioneve përgjegjëse.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit