

Paga mesatare bruto në Shqipëri arriti në 84 mijë lekë gjatë vitit 2025, por diferencat gjinore dhe ato sipas profesioneve mbeten të pranishme. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, një burrë u pagua mesatarisht 86 mijë lekë bruto në muaj, ndërsa gratë vazhdojnë të paguhen më pak, me një rrogë mesatare prej 82 mijë lekësh.
Megjithatë, ky hendek prej 4.5% shënon nivelin më të ulët historik që nga viti 2014, periudhë kur diferenca luhatjej në kufijtë e 10-11%. Nga 36 grup-profesione të analizuara, burrat dominojnë në pagë në 33 prej tyre, ndërsa gratë arrijnë të paguhen më shumë vetëm në tre sektorë specifikë, kryesisht në pozicione drejtuese.
Ku udhëheqin gratë dhe ku thellohet hendeku?
Ndonëse në minorancë sa i përket numrit të profesioneve, gratë arrijnë të kenë avantazh financiar në pozicionet elitare të menaxhimit dhe administratës:
Drejtueset administrativë dhe komercialë: Ky grup mban pagën më të lartë në vend me një mesatare prej 223 mijë lekësh. Në këtë sektor, një drejtuese grua merr mesatarisht 232 mijë lekë në muaj, duke paguar 8% më shumë se homologu mashkull (214 mijë lekë).
Administrata Shtetërore: Në grupin e ligjvënësve dhe nëpunësve të lartë, gratë paguhen mesatarisht 126 mijë lekë, ose 9% më shumë se burrat.
Punëtorët e shërbimit dhe ndihmës: Gratë paguhen me 52 mijë lekë, rreth 3% më shumë se burrat.
Në krahun tjetër, diskriminimi më i thellë gjinor regjistrohet në sektorin e bujqësisë. Në grupin e prodhuesve bujqësorë dhe blegtoralë për nevoja familjare, burrat paguhen me 85 mijë lekë, ndërsa gratë marrin saktësisht gjysmën e kësaj vlere—vetëm 42 mijë lekë, që përbën edhe pagën më të ulët të raportuar në vend.
Diferenca të ndjeshme vërehen edhe në shëndetësi, ku burrat paguhen 13% më shumë (120 mijë lekë kundrejt 104 mijë lekë), si dhe në arsim, ku mësueset paguhen 12% më pak se kolegët meshkuj.
Specialistët e IT-së kalojnë drejtuesit e prodhimit
Tregu i punës po pëson ndryshime strukturore edhe sa i përket vlerësimit të profesioneve. Sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) tashmë është pozicionuar i dyti më i paguari në shkallë vendi.
Specialistët e IT-së: Kanë një pagë mesatare prej 173.5 mijë lekësh në muaj (175 mijë lekë për burrat dhe 171 mijë lekë për gratë).
Drejtuesit e prodhimit: Janë zbritur në vendin e tretë me një pagë mesatare 172.5 mijë lekë në muaj.
Ndërkohë, profesioni më pak i paguar në Shqipëri rezulton ai i punëtorëve për shitje dhe shërbime në rrugë, i cili mbetet i vetmi sektor me pagë mesatare nën kufirin e 50 mijë lekëve (50.4 mijë lekë për burrat dhe 46 mijë lekë për gratë).
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






