Transmetuar më 24-06-2026, 07:54

Trajneri i kombëtares së Brazilit, Karlo Ançeloti, ka folur në konferencën zyrtare për shtyp përpara përballjes së rëndësishme kundër Skocisë, e vlefshme për fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026. Tekniku italian konfirmoi se ylli i skuadrës, Nejmar, ka lënë pas problemet fizike dhe është plotësisht i gatshëm për t’ zbritur në fushë.

Ançeloti vlerësoi maksimalisht gjendjen e sulmuesit, duke theksuar se ai mund të aktivizohet si zëvendësues ose gjatë gjithë takimit në Miami. Ndër të tjera, kreu i pankinës seleçao analizoi skemën taktike të skocezëve dhe shprehu bindjen e tij te cilësitë e lojtarëve si Vinicius Jr. dhe talenti Endrik.

Deklaratat kryesore të Karlo Ançelotit: Për gjendjen e Nejmarit: "Ai është stërvitur shumë mirë, është në formë dhe gati për të luajtur. Ka një qëndrim dhe mendësi të shkëlqyer, është një lojtar ekipi. Duam ta aktivizojmë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi ai sjell përvojë dhe ekspertizë të madhe në grup."

Përballja taktike me Skocinë: "Pres një ndeshje të vështirë. Skocia ka një strategji shumë të qartë, e organizuar mirë në formacionin 4−4−2 dhe aplikon topat e gjatë e krosimet. Megjithatë, ne nuk do të ndryshojmë sistem. Objektivi ynë mbetet kontrolli dhe posedimi i topit."

Presioni i Botërorit dhe yjet e skuadrës: "Endrik ka cilësi për të luajtur në çdo kohë. Kemi atë ose Nejmarin, kështu që presioni në këtë Kupë Bote është i madh (qesh). Sa i përket Vinicius Jr., ai ka të njëjtën aftësi si Mesi, Haland apo Mbape për të vendosur fatin e një ndeshjeje."

Fokusi te fusha dhe objektivi në grup: "Nuk do ta shikojmë ndeshjen e Marokut. Jemi plotësisht të përqendruar te loja jonë dhe duam të përmirësohemi pas ndeshjes së parë në turne. Për mua kjo po rezulton një përvojë fantastike si trajner i një kombëtareje."

Sfida mes Brazilit dhe Skocisë do të luhet në Miami të SHBA-së, ku pritet një mbështetje e madhe nga komuniteti brazilian, dhe starton të enjten në mesnatë me orën shqiptare (00:00).

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit