Transmetuar më 23-06-2026, 21:33

Komiteti Ekzekutiv i Federata Shqiptare e Futbollit ka miratuar ndryshime të rëndësishme në strukturën e Kategoria e Parë e Futbollit në Shqipëri, të cilat do të hyjnë në fuqi nga edicioni 2027/2028.

Sipas vendimit, deri në atë periudhë kampionati do të vijojë me formatin aktual me 3 faza dhe 33 javë, ku dy vendet e para ngjiten automatikisht në Abissnet Superiore.

Skuadrat e renditura nga vendi i 3-të deri në të 6-tin do të marrin pjesë në play-off për një vend shtesë në elitë, ndërsa sistemi i play-out do të përcaktojë rënien në Kategorinë e Dytë.

Nga sezoni 2027/2028, Kategoria e Parë do të ndryshojë format dhe do të ngjajë me strukturën e Superiores, duke u zhvilluar me 12 skuadra dhe dy faza të rregullta. Pas fazës së parë, pikët do të përgjysmohen dhe ekipet do të ndahen në play-off dhe play-out.

Në play-off, 6 skuadrat e para do të garojnë për titullin dhe dy vende promovimi, ndërsa në play-out 6 ekipet e fundit do të luftojnë për mbijetesë, ku dy të fundit bien direkt në Kategorinë e Dytë.

Sistemi i ri parashikon gjithashtu ndeshje shtesë për promovim dhe mbijetesë mes kategorive, duke synuar rritjen e konkurrencës dhe interesit sportiv gjatë gjithë sezonit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit