Transmetuar më 23-06-2026, 21:09

Në hetimet që po zhvillohen në Milano lidhur me aksidentin fatal ku humbi jetën oficeri i policisë rrugore Francesco Imprezzabile, një nga dy të arrestuarit shqiptarë ka dhënë dëshminë e tij para autoriteteve.

Sipas deklarimeve të publikuara nga mediat italiane, 27-vjeçari i identifikuar me inicialet B.G. ka pranuar se nuk i është bindur urdhrit të ndalimit nga patrulla, pasi kishte me vete disa gramë hashash dhe ka frikë për pasoja ligjore.

“Nuk u ndala në pikën e kontrollit. Kisha disa gramë hashash dhe nuk doja të kisha probleme. Bëra një gabim dhe kërkoj ndjesë,” citohet të ketë thënë ai gjatë marrjes në pyetje, duke shprehur gjithashtu keqardhje për familjen e viktimës.

Ngjarja lidhet me aksidentin ku humbi jetën oficeri Francesco Imprezzabile gjatë një ndjekjeje policore në zonën e Peschiera Borromeo. Pas incidentit, automjeti i dyshuar u gjet i braktisur në Pioltello, ndërsa më vonë dy persona u ndaluan në zonën e Monza.

Prokuroria e Milano po përgatit procedim penal për vrasje rrugore dhe largim nga vendngjarja, ndërsa SUV-i i përdorur në arratisje është sekuestruar për ekspertizë teknike.

Hetuesit po analizojnë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar saktë dinamikën e ngjarjes, ndërsa deri tani është përjashtuar mundësia e një përplasjeje të drejtpërdrejtë me motoçikletën e policisë.

Vdekja e efektivit ka shkaktuar reagime të forta në Itali, përfshirë ngushëllime nga autoritetet më të larta shtetërore, ndërsa hetimet për përgjegjësitë vazhdojnë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit