Transmetuar më 23-06-2026, 19:45

Europa po përballet me një valë të fortë të nxehti që ka prekur pothuajse gjithë kontinentin, nga Portugalia deri në Suedia, me temperatura që në disa zona pritet të arrijnë deri në 45°C.

Në Italia, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur alarm të kuq në disa qytete, por ekspertët paralajmërojnë se masat aktuale mund të mos jenë të mjaftueshme për përballimin e situatës. Diskutohet madje edhe për një nivel më të lartë paralajmërimi, të quajtur “kod i zi”, për shkak të rrezikut të lartë shëndetësor.

Në jug të Francës raportohet një ngjarje tragjike, ku dy fëmijë kanë humbur jetën pasi janë lënë brenda një automjeti, në kushte të temperaturave ekstreme. Në total, 54 departamente franceze janë vendosur në nivelin maksimal të alarmit, duke prekur dhjetëra miliona banorë.

Ekspertët meteorologjikë e lidhin këtë situatë me të ashtuquajturin “bllok omega”, një model atmosferik që mban të bllokuar masat e ajrit të nxehtë me origjinë nga Afrika e Veriut. Këto masa kanë krijuar një “flluskë përvëluese” mbi pjesën më të madhe të Europës, duke shkaktuar temperatura mbi mesataren sezonale me deri në 12°C.

Ndikime serioze po ndihen edhe në infrastrukturë dhe ekonomi. Në Italinë veriore, përfshirë zonat e Torino dhe Milano, janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të rritjes së konsumit nga përdorimi i kondicionerëve.

Gjithashtu, niveli i ujit në lumenj po bie ndjeshëm. Lumi Po ka humbur rreth 60% të prurjeve brenda një jave, duke rritur shqetësimet për furnizimin me ujë dhe bujqësinë.

Në Spanjës janë regjistruar temperatura deri në 45°C, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar priten rekorde të reja për muajin qershor, me temperatura që mund të arrijnë deri në 40°C.

Edhe vende si Belgjika dhe Gjermania po përballen me temperatura të pazakonta për këtë periudhë të vitit, duke rritur shqetësimet për shëndetin publik, veçanërisht tek të moshuarit dhe grupet vulnerabël.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, valët e të nxehtit kanë shkaktuar mbi 200 mijë viktima në Evropë gjatë katër viteve të fundit, duke e bërë këtë një nga krizat më të mëdha klimatike dhe shëndetësore të dekadave të fundit.

Autoritetet në disa vende kanë nisur të aplikojnë masa emergjente, përfshirë kufizime pune në sektorë të caktuar dhe skema mbështetjeje për punonjësit, ndërsa parashikimet tregojnë se vala e të nxehtit mund të zgjasë edhe për disa ditë të tjera.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit