

TIRANË, 23 qershor 2026 – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas një deklarate të kryeministrit Edi Rama gjatë një interviste për “Financial Times”, ku u përdor një shprehje e konsideruar ofenduese ndaj protestuesve.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se fraza e përdorur nuk përbën një lapsus, por sipas tij, pasqyron mënyrën se si kryeministri ushtron pushtetin dhe trajton qytetarët që kërkojnë llogaridhënie.
“Dy fjalë për qytetarët që kërkojnë llogari. Dy fjalë për protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e tij… Nuk është humbje nervash e momentit. Nuk është lapsus. Është thelbi i mënyrës se si Edi Rama e ushtron pushtetin”, thuhet në reagimin e tij.
Sipas Bardhit, kjo qasje tregon, siç e cilëson ai, përçmim ndaj qytetarëve, kundërshtarëve politikë dhe parimit të llogaridhënies. Ai shton se deklarata e kryeministrit është tregues i një mentaliteti që e konsideron pushtetin si pronë private.
Reagimi i tij vjen pas debatit të ndezur politik të shkaktuar nga deklarata e kryeministrit në media ndërkombëtare, e cila ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe në radhët e opozitës.
REAGIMI
“Fuck you”
Ndoshta asnjëherë më parë Edi Rama nuk e ka përmbledhur më qartë filozofinë e pushtetit të tij.
Në vetëm dy fjalë.
Dy fjalë për qytetarët që kërkojnë llogari. Dy fjalë për protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e tij. Dy fjalë për këdo që refuzon shtetin e parave të pista, korrupsionin dhe arrogancën e pushtetit të tij.
“Fuck you” nuk është një humbje nervash e momentit. Nuk është as lapsus. Është thelbi i mënyrës se si Edi Rama e ushtron pushtetin.
Përçmim për qytetarët. Përçmim për kundërshtarin. Përçmim për llogaridhënien.
Prandaj këto dy fjalë vlejnë më shumë se një mijë fjalime. Sepse vetëm një Kumbar e sheh pushtetin si pronë private dhe qytetarët si pengesë.
“Fuck you”
Ndonjëherë mjaftojnë dy fjalë për të shpjeguar pse epoka e Edi Ramës duhet të marrë fund./
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






