Transmetuar më 23-06-2026, 16:46

TIRANË, 23 qershor 2026 – Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka reaguar ashpër ndaj Dritan Goxhaj, pasi ky i fundit u paraqit si përfaqësues i protestuesve në bulevard pas më shumë se tri javësh protesta.

Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Mila e cilësoi Goxhajn si një figurë të papërshtatshme për të përfaqësuar protestën, duke iu referuar një dokumenti të publikuar më herët, sipas të cilit ai nuk kishte marrë pjesë në luftën e Kosovës.

“Pas ditësh protestë pa prijës, maska ra. Zëdhënësi zyrtar i ‘Shqipërisë së Re’ na qenka një figurë me retorikë publike pro Iranit, antiamerikan dhe një mohues i pashoq i gjakut të vet. Jo thjesht që nuk është një alternativë politike, por është një karikaturë gjeopolitike”, u shpreh deputetja socialiste.

Mila iu referua gjithashtu deklaratave të protestuesve ndaj qytetarëve që nuk i janë bashkuar tubimeve, duke ironizuar thirrjet për “neutralët në kohë trazirash”. Ajo tha se përgjegjësia për tensionet dhe përçarjet nuk mund të maskohet me retorikë patriotike.

“Në protestë kam dëgjuar shpesh t’u thoni qytetarëve që ndodhen në kafene se ka një vend në ferr për neutralët në kohë trazirash. Ndoshta prijësi juaj revolucionar është fiks rasti. Po për ata që ndezin trazirat dhe i shesin më pas si patriotizëm, duhet të jetë rezervuar një kat më vete”, deklaroi ajo.

Reagimi i Milës vjen pas publikimit të një letre të bërë publike nga kryeministri Edi Rama, ku pretendohet se Goxhaj nuk ka marrë pjesë në luftën e Kosovës. Çështja ka nxitur debate të forta politike dhe reagime të shumta në opinionin publik.

Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Dritan Goxhaj lidhur me deklaratat e deputetes socialiste.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit