

TIRANË, 23 qershor 2026 – Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar lidhur me përdorimin e simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë protestës disaditore në Tiranë, duke shprehur shqetësim për atë që e cilëson si përpjekje për manipulim politik dhe instrumentalizim të trashëgimisë së luftës çlirimtare.
Përmes një deklarate publike, veteranët theksuan se është e papranueshme që në emër të UÇK-së të paraqiten individë apo grupe që, sipas tyre, kanë tentuar ndër vite të minimizojnë ose të zbehin vlerat e luftës çlirimtare.
“Është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ritheksoi se kauza e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të përdoret si instrument i agjendave politike të ditës apo për interesa personale dhe partiake.
Në deklaratë, organizata u bëri thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që të garantojnë integritetin e aktivitetit dhe të mos lejojnë, sipas saj, asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve dhe veteranëve të luftës.
“UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike”, theksohet në përfundim të deklaratës.
Reagimi vjen në kohën kur protesta e nisur prej disa ditësh në kryeqytetin shqiptar ka nxitur debate dhe qëndrime të ndryshme lidhur me përdorimin e simboleve kombëtare dhe të luftës çlirimtare në aktivitetet publike dhe politike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






